Shtetet që sollën më së shumti turistë në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut gjatë katërmujorit të parë të vitit 2023 u regjistrua rritje e numrit të turistëve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën janar – prill 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, numri i turistëve është rritur me 24.3 %, edhe atë: te turistët vendor ka rënie prej 3.6 %, ndërsa te turistët e huaj ka rritje prej 46.1 %”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Vetëm në muajin prill janë regjistruar 69 934 turistë në Maqedoninë e Veriut, 74.2 përqind e të cilëve janë turistë të huaj.

Më së shumti turistë në Maqedoninë e Veriut solli Turqia (12 855), Serbia (5 730), Greqia (4 328), Gjermania (2 711), Bullgaria (2 072), Kosova (1700), Kroacia (1 695), SHBA (1658),  Italia (1 259), Shqipëria (1219), etj.