Shtatë të vdekur nga stuhitë në Francë dhe Zvicër

Moti i keq që përfshiu Francën dhe Zvicrën, shkaktoi vdekjen e 7 personave. Mediat lokale raportojnë se ka dëme infrastrukturore, njashtu vërshime. Shkenctarët thonë se ekstremet e tilla vijnë nga ndryshimet klimatike, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Stuhitë e fuqishme dhe shirat e rrëmbyeshëm që goditën Francën dhe Zvicrën gjatë kësaj fundjave kanë lënë të vdekur të paktën shtatë persona, thanë autoritetet më 30 qershor. Tre persona, në të 70-tat dhe 80-tat vdiqën në rajonin verilindor Aube në Francë të shtunën, kur një pemë u rrëzua mbi makinën me të cilën ata po udhëtonin, teksa shteti është goditur nga erëra të fuqishme. Pasagjeri i katërt është në gjendje kritike, thanë autoritetet lokale për agjencinë e lajmeve, AFP.

Në Zvicër, dy persona vdiqën pas shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan rrëshqitje të dheut në juglindje të shtetit, në kantonin italianofolës të Ticinos, tha policia. Më pas autoritetet njoftuan se zbuluan edhe trupat e pajetë të dy personave. Sipas mediave lokale, dy nga viktimat ishin gra që ishin për pushime në Zvicër.

Moti i lig po ashtu ka lënë disa zona pa energji elektrike në Zvicër. Edhe javën e kaluar, Zvicra u përball me shira të rrëmbyeshëm që lanë të vdekur një person dhe shkaktuan dëme të mëdha.

Në veri të Italisë, në Luginën Aosta, u raportua për vërshime të mëdha për shkak të lumenjve që dolën nga shtrati. Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga aktivitetet e njerëzve, po rrisin ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e motit ekstrem, sikurse përmbytjet dhe stuhitë.