Shqipëri, nesër do të votohet për Komunën e Himarës
Banorët e Himarës do të votojnë të dielën e 4 gushtit , për të zgjedhur kreun e ri të bashkisë, raporton EuroNews. 23 mijë e 74 qytetarë janë me të drejtë vote, që do të zgjedhin mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës.
36 qendrat e votimit në Himarë do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00.
Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës pritet që t’i japin zgjidhje një beteje 15 mujore për të parin e himarjotëve, një sagë që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe më pas edhe të kryetarit në detyrë, Jorgo Goro.
Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht bashkia drejtohet nga Arqile Bollano.
Sa i takon zgjedhjeve të së dielës materialet zgjedhore kanë mbërritur në Himarë një ditë më parë, ndërsa KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orën 07:00. Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.