Shkupi një ndër kryeqytetet më të lira evropiane për pushime

Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe Kishinau janë renditur si kryeqytetet më të lira evropiane për pushime. Hulumtimi i realizuar nga Vatican Tours and Tickets, i radhiti këto qytete mbi bazë të shpenzimeve të përgjithshme për pushime  për person – të ndara sipas shpenzimeve mesatare ditore, çmimeve të hoteleve dhe shpenzimeve mesatare të rrugës, transmeton Portalb.mk nga DW.

Hotele dhe ushqime me @mime te volitshme

Në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, shpenzimet ditore për vizitorët janë mesatarisht 29 euro, ndërsa çmimi mesatar i hoteleve për 5 netë në qytet është 134 euro për person, që e bën atë destinacionin më të lirë për pushime. Shpenzimet e përgjithshme të pushimeve për person në Prishtinë janë 643 euro.

Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, është në vendin e dytë në listën sipas shpenzimeve të përgjitshme prej 660 euro për person për një pushim gjashtëditor. “Qyteti ofron një ndërthurje të historisë së lashtë dhe jetës moderne urbane, me një konsum mesatar ditor prej 30 eurosh. Çmimet e hoteleve në Shkup janë shumë të volitshme, me një çmim mesatar prej 117 euro për person për pesë netë. “Në kombinim me shpenzimet mesatare të rrugës prej rreth 177 euro, Shkupi është një destinacion joshës për udhëtarët që duan ta shijojnë historinë dhe kulturën e Evropës Juglindore pa e rënduar shumë buxhetin e tyre”, thuhet në portal.

“Prishtina dhe Shkupi nuk janë vetëm opsione të lira – ato janë porta për t’i kuptuar kulturat e ndryshme të Ballkanit. Këto qytete u ofrojnë udhëtarëve qasje në përvoja autentike, nga eksplorimi i arkitekturës shekullore e deri te traditat lokale, të gjitha me një pjesë të vogël të çmimit në destinacionet më të njohura”, thotë Magdalena Petrushiq, eksperte e udhëtimeve nga Vatican Tours and Tickets.

Përvoja autentike

Sarajeva, kryeqyteti i Bosnje dhe Hercegovinës, ndodhet në vendin e tretë me shpenzime të përgjithshme për pushim prej 747 eurosh për person. Me shpenzime ditore mesatare prej 32 euro, Sarajeva ofron një ndërthurje unike të kulturave dhe historisë. Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë, është në vendin e katërt me me shpenzime të përgjithshme për pushim prej 750 euro për person. Shpenzimet ditore në këtë qytet janë 35 euro, që u mundëson udhëtarëve t’i eksplorojnë parqet e tij të gjelbra, arkitekturën e epokës sovjetike dhe kulturën në rritje të verës.

Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, është i pesti në listë me shpenzime të përgjithshme për pushim prej 760 euro për person për një udhëtim gjashtë-ditor. Shpenzimet ditore në këtë qytet janë mesatarisht 39 euro, ose 236 euro për të gjithë qëndrimin. Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, është në vendin e gjashtë me shpenzime të përgjithshme për pushim prej 798 euro, i ndjekur nga Budapesti, Hungaria me 826 euro në vendin e shtatë. Këto kryeqytete, edhe pse pak më të shtrenjta se pesë vendet e para, sërish ofrojnë mundësi buxhetore për udhëtarët me atraksionet e tyre unike kulturore dhe historike.

Varshava e Polonisë me 829 euro dhe Sofja e Bullgarisë me 831 euro zënë vendin e tetë dhe të nëntë. Të dy kryeqytetet janë të njohura për historinë e tyre të pasur dhe skenat energjetike kulturore. Edhe pse më të shtrenjta se qytetet e përmendura më sipër, ato sërish ofrojnë një vlerë të shkëlqyer për ata që duan ta eksplorojnë Evropën Lindore pa bërë shpenzime të mëdha. Bratisllava, kryeqyteti i Sllovakisë, është në vendin e dhjetë me shpenzime të përgjithshme për pushim prej 850 euro për person për një qëndrim gjashtëditor.

Prishtina dhe Nishi janë më të lira se Shkupi

Sipas listës së bazuar në “Indeksin e shpenzimeve për jetesë” për vitin 2024, të cilin e përgatit Numbeo, Prishtina dhe Nishi janë më të lira se Shkupi, i cili ndodhet në vendin e 131. Sipas kësaj liste, për një nuancë jeta është më e shtrenjtë në Sarajevë, Banja Lluka, Podgoricë, Beograd dhe Sofje, të cilat renditen nga vendi 127 deri në vendin e 108.

Shpenzimet mujore të parashikuara për një familje katër anëtarëshe në Shkup janë 117.333 denarë pa qiranë. Shpenzimet mujore të parashikuara për një person janë 34.160 denarë pa qiranë. Shkupi është 65.3% më i lirë se Nju Jorku (pa qiranë). Qiraja në Shkup është mesatarisht 92,4% më e ulët se në Nju Jork.