Shkupi dhe Tetova, pritet të jenë epiqendra të garës zgjedhore

Beteja kryesore në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 8 maj, do të zhvillohet mes katër koalicioneve të partive politike maqedonase dhe shqiptare, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gara në njërin bllok do të zhvillohet mes Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare dhe në bllokun tjetër, mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet që udhëheq Frontin Evropian dhe koalicionit VLEN, që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.

Afati për dorëzimin e listave për deputetë mbyllet në mesnatën e 2 prillit. Pas dorëzimit, listat duhet të verifikohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kovaçevski dhe Mickovski përballen në njësinë e parë zgjedhore

Në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura në gjashtë njësi zgjedhore dhe çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë, apo gjithsej 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Njësia e parë zgjedhore që përfshin pjesën më të madhe të Shkupit dhe njësia e gjashtë zgjedhore që përfshinë zonat e banuara me shqiptarë, si Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën, do të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi në këto zona gara do të zhvillohet mes drejtuesve të koalicioneve politike.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetar i LSDM-së në njësinë e parë zgjedhore, do të përballet me liderin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, dhe kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev.

Ndërkohë, te partitë shqiptare në këtë njësi zgjedhore gara do të zhvillohet mes Izet Mexhitit, nga koalicioni opozitar shqiptar, i cili për një kohë të gjatë ishte me BDI-në, dhe Blerim Bexhetit, kryetar i Komunës së Sarajit dhe ish-ministër i Drejtësisë.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore përballen Ahmeti dhe Kasami

Gara kryesore ndërmjet partive shqiptare do të zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore, ku nga BDI-ja listës zgjedhore do t’i prijë, kryetari i saj, Ali Ahmeti ndërsa listës së koalicionit opozitar VLEN, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

“Sikur në të kaluarën, edhe në këto zgjedhje, këto dy njësi zgjedhore do të jenë në qendër të vëmendjes, pra do të ketë përballje mes liderëve të partive, andaj edhe gjithë fushata do të përqendrohet në këto zona, pa anashkaluar edhe njësitë tjera, pasi çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë. Këto zgjedhje mund të përcaktojnë edhe fatin e tyre, pasi në rast të disfatës ato duhet të marrin përgjegjësinë edhe pse kjo te ne nuk ka ndodhur deri më tani, me përjashtim të ndonjë rasti”, thotë Bllagoja Atanasovski, njohës i çështjeve politike.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.