Shkup, 13 mijë euro gjoba për dy objekte hotelerike pas ankesave të qytetarëve për muzikë të lartë

Pas raportimeve të qytetarëve për rritje të zhurmës nga muzika e lartë nga objektet hotelierike në territorin e Komunës Qendër, Sektori për punë inspektuese gjatë javës së kaluar ka organizuar aksion për matjen e zhurmës me laboratorin e autorizuar mjedisor “Euromak Kontrol” Shkup në orët e para të mëngjesit, transmeton Portalb.mk.

Aksionet janë kryer në të gjithë territorin e Komunës, gjatë të cilave janë kaluar pikat kyçe, përkatësisht lokalitetet për të cilat ka ankesa të rregullta nga qytetarët, konkretisht në lagjet Debar maalo, Bunjakovec, Qendër dhe Kapishtec.

Matja e zhurmës është kryer në 2 objekte hotelerike: Mosh dhe Intermezzo.

Pas matjeve të zhurmës, laboratori i autorizuar mjedisor ka dorëzuar raportet matëse, në bazë të të cilave janë kryer procedurat e inspektimit, me urdhërpagesë për gjobë për kundërvajtje të kryer në përputhje me Ligjin për mbrojtjen nga zhurma në mjedisin jetësor.

Personat juridikë mund të paguajnë gjysmën e gjobës brenda 8 ditëve. Nëse nuk i paguajnë gjobat në shumë prej 13.000 euro, inspektori i autorizuar do të paraqesë kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje pranë Gjykatës Themelore, Departamenti për Kundërvajtje.

Komuna Qendër vazhdimisht pranon ankesa nga qytetarët për muzikën e lartë dhe mosrespektimin e orarit të punës, pas së cilës në disa raste ka shqiptuar gjoba për zhurmë. Komuna Qendër edhe një herë u bën thirrje të gjithë menaxherëve dhe pronarëve të objekteve hotelierike në komunë që t’i përmbahen rregulloreve ekzistuese, të jenë të kujdesshëm ndaj banorëve që jetojnë në afërsi të objekteve të tyre dhe të respektojnë Ligjin për mbrojtje nga zhurma në mjedis jetësor.