Shkon në 11, 300 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Libi

Ka shkuar në 11, 300 numri i të vdekurve në qytetin bregdetar Derna të Libisë, ndërsa vazhdojnë kërkimet pas përmbytjeve masive që shkaktoi çarja e dy digave si pasojë e shirave të dendur, tha organizata humanitare Gjysmëhëna e Kuqe Libiane, raporton Zëri i Amerikës.

Marie el-Drese, ndihmëse e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se më shumë se 10, 100 persona rezultojnë të zhdukur. Autoritetet e shëndetësisë kishin njoftuar me herët se numri i të vdekurve ishte 5500.

170 persona të tjerë humbën jetën në zona të tjera të vendit si pasojë e stuhisë.

Përmbytjet zhdukën lagje të tëra dhe shuan qindra familje në Derna. Po ashtu, ekspozuan dobësitë e vendit të pasur me naftë që është zhytur në konflikt, që pas kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi diktatorin në pushtet Moammar Gadafi.

Ministri i Shendëtesisë, Othman Abduljaleel, tha se viktimat po varrosen në varre masive. Deri të enjten në mëngjes, sipas tij, ishin varrosur 3 mijë viktima.

Nuk dihet se sa mund të jetë numri i viktimave që kanë mbetur nën rrënoja ose nën baltë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një ndihmë emergjente prej 74.1 milionë dollarësh për të përballuar nevojat urgjente të më shumë se 250,000 qyetarëve që janë më të prekur nga përmbytjet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka njoftuar dërgimin e fondeve në ndihmë të organizatave në Libi dhe për të mbështetur autoritetet vendase dhe Kombet e Bashkuara për të dhënë ndihmë shtesë.

Rikujtojmë se, Stuhia “Daniel” goditi më 14 shtator Libinë. Në afërsi të Darnas u shembën dy diga, lagje të tëra të qytetit me 100.000 banorë u morën me vete nga ujërat. Rrugë të tëra janë zhytur në baltë. Trupat e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijeuar, por shpresa për të gjetur të mbijetuar është e pakët. Në mediat sociale shihen kolona automjetesh që transportojnë të vdekur, në pamje të tjera shihen kufoma në det. Shumë nga viktimat e përmbytjes duhet të varrosen në varreza masive.

LEXO: Katastrofa në Libi, vetëm në Darna dyshohet për 20.000 të mbytur