Shkollat në Nju Jork do të ndalojnë telefonat celularë, shkak shëndeti mendor i fëmijëve

Shkollat ​​e Nju Jorkut planifikojnë të ndalojnë përdorimin e celularëve shkak shëndeti mendor i fëmijëve. Sistemi më i madh shkollor i Amerikës njoftoi lëvizjen të mërkurën pas konsultimeve të gjëra me profesionistë mjekësorë, shkruan Panacea.

“Fëmijët tanë janë krejtësisht të varur nga këta telefona, ne duhet të bëjmë diçka për këtë”, tha Dejvid Benks, kancelari i shkollave të qytetit të Nju Jorkut, në një intervistë për televizionin NY1.

Ai tha se rregullat e reja, të cilat do të publikohen të plota muajin e ardhshëm, do të prekin rreth 915,000 nxënës.

Në përpjekje për të lehtësuar frikën se prindërit nuk do të jenë në gjendje të kontaktojnë fëmijët e tyre, zoti Benks tha se rregullat e reja do të lejojbë pajisjet në mjediset e shkollës, por përdorimi i tyre nuk do të lejohet gjatë orëve të shkollës.

“Ne duam që t’ua mundësojmë sjelljen e telefonave celularë në shkollë, sepse deri në përfundimin e orës së mësimit, ju duhet të jeni në komunikim me familjen tuaj”, thotë ai.

Ndalimi është një largim kyç nga rregullat ekzistuese që lejojnë mësuesit të vendosin individualisht politikën e tyre të përdorimit të telefonit celular. Si rezultat, shkollat ​​e Nju Jorkut përdorën qasje të ndryshme – disa mblidhnin telefona në fillim të ditës, të tjerët udhëzonin nxënësit që t’i vendosnin pajisjet e tyre në çanta që mbylleshin, transmeton Telegrafi.