Shkoi në mbi 40.400 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Ushtria izraelite ka vrarë 71 palestinezë të tjerë në sulmet në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin total të të vdekurve në 40.405 që nga tetori i vitit të kaluar, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë, transmeton Anadolu.

Ministria tha në një deklaratë se 93.468 palestinezë janë plagosur po ashtu si rezultat i bombardimeve të gjera në Gaza që nga 7 tetori 2023.

“Forcat izraelite vranë 71 persona dhe plagosën 112 të tjerë në pesë ‘masakra’ kundër familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ajo.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në Gaza pas një sulmi të grupit të rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Bllokada e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.