Shkëmbim zjarri pranë konsullatës së Izraelit në Mynih, policia vrau të dyshuarin

Policia gjermane shkëmbeu zjarr me një 18 vjeçar me shtetësi austriake të enjten në afërsi të konsullatës së Izraelit në Mynih. Sipas policisë, sulmuesi vdiq në vendin e ngjarjes nga plagët e marra. Autoritetet thanë se besojnë se ai kishte në plan të sulmonte konsullatën e Izraelit në këtë qytet, raporton Zëri i Amerikës.

Autoritetet gjermane njoftuan të enjten se sulmuesi i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë gjermane në qytetin e Mynihut ishte një 18 vjeçar me shtetësi austriake.

Autoritetet ende po hetojnë për motivet, por besojnë që ai kishte planifikuar të sulmonte Konsullatën e Izraelit në këtë qytet.

“Mund të konfirmojmë se sulmuesi është identifikuar si një 18 vjeçar me shtetësi austriake, i cili me sa e dimë, jetonte në Austri. Sa i përket motivit, hetimet po vazhdojnë”, tha zëdhënësi i policisë së Mynihut, Andreas Franken.

Autoritetet në Gjermani thanë se policia u njoftua në orët e hershme të mëngjesit të enjten për një person të armatosur, siç thanë ata, me një “armë të gjatë” pranë sheshit Karolinenplatz, në afërsi të qendrës së Mynihut.

I dyshuari, sipas autoriteteve, kishte një armë zjarri të modelit të vjetër, me një mekanizëm për të shtëna të njëpasnjëshme.

“Është e qartë që nëse dikush parkon makinën pranë konsullatës së Izraelit, pastaj bën një xhiro rreth kësaj konsullate me armë zjarri dhe fillon të qëllojë, sigurisht që nuk bëhet fjalë për një rastësi… Policia do të zhvillojë hetime dhe do t’iu njoftojmë për rezultatet”, deklaroi Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann.

Autoritetet gjermane thanë se sulmuesi mund ta kishte planifikuar sulmin ndaj konsullatës izraelite në ditën që shënon përvjetorin e 52 të sulmit të militantëve palestinezë ndaj ekipit izraelit në Lojërat Olimpike në Mynih të vitit 1972, gjatë të cilit u vranë 11 pjestarë të ekipit izraelit, një polic gjerman dhe pesë nga sulmuesit.

Pas incidentit, Presidenti izraelit Isaac Herzog bisedoi me homologun e tij gjerman Frank Walter Steinmeier dhe dyja palët e dënuan incidentin, sipas një postimi në platformën X.

Ministrja gjermane e punëve të brendshme, Nancy Faeser e cilësoi sulmin me armë zjarri si “një incident serioz” dhe theksoi se “mbrojtja e objekteve hebre dhe izraelite është përparësi e lartë.”

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se konsullata e saj në Mynih ishte e mbyllur gjatë kohës së sulmit dhe se punonjësit e saj nuk ishin lënduar.