ShKA “Xheladin Zeqiri” po merr pjesë në festivalin folklorik në Siçili

ShKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova po merr pjesë në Festivalin e XXVII ndërkombëtar të folklorit në Siçili, në perfekturën Caltavuturo, një zonë e njohur për atmosferën e qetë dhe miqësore, shkruan Portalb.mk.

Bekim Ramadani nga kjo shoqatë njoftoi se, në këtë festival, po marrin pjesë artistë nga Bolivia, Polonia, Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Italia, është krijuar një përzierje e mrekullueshme e ngjyrave tradicionale, të gërshetuara bukur me arkitekturën antike dhe peizazhet natyrore të jashtëzakonshme.

“Kemi mbërritur në këtë vend magjepsës të provincës së Palermos, duke bartur me vete jo vetëm veglat muzikore dhe veshjet tradicionale, por edhe shpirtin e pasur të Maqedonisë shqiptare, e mishëruar përmes vallesh dhe këngësh shqiptare. Ky udhëtim, që ka kërkuar përkushtim, punë të palodhur dhe një dashuri të thellë për kulturën shqiptare, po shpërblehet me vlerësime dhe mirënjohje nga banorët vendas, të cilët kanë mbushur rrugët dhe amfiteatrot për të ndjekur parakalimet dhe koncertet e mrekullueshme të grupeve pjesëmarrëse”, tha Ramadani.

Aktivitetet kulturore do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese, ku mes tjerash do të vizitojnë qytezën Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve) qendrën kryesore të  komunitetit arbëresh në Siçili ku do të takohen me pjesëtarë të këtij komuniteti.

“Ky udhëtim është një dëshmi e gjallë se kultura shqiptare është një thesar që ndriçon çdo vend ku prezantohet, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme dhe duke frymëzuar brezat që vijnë për të ruajtur dhe pasuruar këtë trashëgimi të çmuar”, theksoi ai.