ShGM, SPGPM, KEMM: Shprehim shqetësim serioz për ndërhyrjen e Mirçevskit në emisionin e Kanal 5 ku mysafir ishte Ramadani

 

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) reaguan për ngjarjet që ndodhën dje në transmetimin e drejtpërdrejtë të “Samo Vistina” në TV Kanal 5, ku i ftuar ishte Ismet Ramadani, ish-deputet dhe këshilltar aktual i kryeministrit, dhe gazetari Goran Momirovski, ndërsa udhëheqës i emisionit ishte Aleksandar Vidinovski. Shoqatat shtojnë se, ndërhyrja e Mirçevskit drejtpërdrejtë në televizion, me kërkesë që Ramadani të largohet nga studio menjëherë. paraqet shqetësim serioz, sepse kjo cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë redaktuese që është gurthemeli i gazetarisë së pavarur, transmeton Portalb.mk.

“Në një shoqëri ku televizioni gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë luan rol në formësimin e diskursit publik, është e rëndësisë së veçantë që të gjithë pjesëmarrësit të ruajnë standard të lartë të komunikimit dhe të flasin me respekt me bashkëbiseduesit e tyre si dhe me publikun. Sonte sjellja dhe komentet e z. Ramadani ndaj udhëheqësit të emisionit Vidinovski, në një pjesë të caktuar të debatit, fatkeqësisht ishin konfrontuese, duke krijuar mundësi që debati të marrë përmasa të padëshiruara”, thonë shoqatat. 

Edhe krahas situatës sfiduese, shtohet në reagim, Aleksandar Vidinovski, redaktor-udhëheqës i emisionit Vetëm e vëreteta në Kanal 5, bëri përpjekje për të ndaluar eskalimin e situatës dhe për të ruajtur standardin e dialogut të respektueshëm. Përpjekjet e tij demonstrojnë nivelin e profesionalizmit dhe qetësisë që kërkohet nga praktikuesit e mediave në skenare me presion të lartë.

“Megjithatë, incidenti mori kthesë shqetësuese kur drejtori i televizionit Kanal 5, z. Ivan Mirçevski ndërhyri drejtpërdrejtë në televizion, me kërkesë që z. Ramadani të largohet nga studio menjëherë. SHGM shpreh shqetësim serioz për këtë ndërhyrje, sepse kjo cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë redaktuese që është gurthemeli i gazetarisë së pavarur. Veprimet e kësaj natyre mund të dëmtojnë pavarësinë e medias dhe të rrezikojnë e minojnë besimin e publikut në përgjithësi në media. Ne dënojmë kategorikisht të gjitha veprimet që komprometojnë pavarësinë redaktuese nga strukturat menaxhuese të mediave dhe theksojmë më tej rëndësinë e ruajtjes së këtij parimi për ruajtjen e besueshmërisë së gazetarisë në Maqedoni”, thuhet në reagimin e shoqatave. 

Ata u bëjnë thirrje të gjithë profesionistëve të medias, personazheve publike dhe pjesëmarrësve në debate publike që të kontribuojnë pozitivisht dhe me respekt në gjuhën publike, duke respektuar parimet e komunikimit të respektueshëm dhe pavarësisë redaktuese.

AShMAA: Çdo ndërhyrje nga drejtuesit e mediave paraqet ndërhyrje në pavarsinë e gazetarëve

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, nga ku theksojnë se debatet për çështje politiko-sociale duhet të kontribuojnë në realizimin e lirisë së shprehjes, në kulturën e tolerancës dhe në asnjë moment nuk duhet të nxisin intolerancën.

“Etiketimi i mediave dhe gazetarëve, siç u bë në emisionin e djeshëm nga Ismet Ramadani, këshilltar i kryeministrit për vlerat euroatlantike, ndikon negativisht në lirinë e mediave dhe cenon dinjitetin gazetaresk. Politikanët dhe bartësit e posteve publike kanë një përgjegjësi të veçantë ndaj publikut dhe duhet të tregojnë respektin më të lartë për profesionin e gazetarit dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i mundësuar mediave të kryejnë punën e tyre pa probleme”, thuhet në reagimine e AShMAA.

Në të njëjtën kohë, media duhet të jetë një hapësirë ​​për debat të hapur, një vend ku do të prezantohen mendimet dhe qëndrimet e ndryshme (si pozitive ashtu edhe negative) të pjesëmarrësve në intervista, diskutime dhe emisione të tjera. Redaktorët, gazetarët dhe autorët e tjerë duhet të jenë të pavarur gjatë krijimit të programeve dhe krijimit të politikës editoriale. Çdo ndërhyrje dhe në veçanti ndërprerje e emisioneve nga drejtues apo pronarë të mediave, si përfshirja e Ivan Mirçevskit, udhëheqësit të TV Kanal 5, në emisionin “Vetëm e vërteta” paraqet ndërhyrje në atë pavarësi dhe autonomi.