Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër

Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, ka filluar protesta e pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët po kundërshtojnë hapjen e saj për trafik, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kjo urë ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe.
Në periudhën pasluftës, kjo urë ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’u kundërshtuar përpjekjeve të Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Çfarë parashohin marrëveshjet e Brukselit për urën mbi Ibër?
Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.

Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.

Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.
Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, gjithashtu më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.
KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kjo parti më herët kishte deklaruar se ura nuk mund të hapet pa konsultime dhe pëlqimin e shumicës serbe që jeton në anën veriore të urës.

Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas u dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.