Saveski: Nuk kam pasur kontakte me Qeverinë për zgjedhjen, por është i domosdoshëm bashkëpunimi për reformat në prokurori

Kryeprokurori i ri shtetëror, Nenad Saveski, thotë se gjatë procesit të përzgjedhjes nuk ka pasur asnjë kontakt me Qeverinë, as me kryeministrin. Në një intervistë për “360 gradë”, në pyetjen e drejtpërdrejtë nëse është kontaktuar nga Qeveria apo nga kryeministri, ai u përgjigj shkurt: “Jo”, transmeton Portalb.mk.

Ai shton se edhe vetë është i befasuar nga një zhvillim i tillë, por e vlerëson si shenjë të kujdesit për integritetin e procesit.

“Ndër ata shumë që ishin të habitur, isha edhe unë. Të jem i sinqertë, prisja të ftohesha nga aspekti profesional, si dikush që potencialisht mund të propozohej ose të merrej në shqyrtim për t’u propozuar. Mendoja se ishte krejtësisht legjitime të ftohesha dhe të kishim një takim ku do t’i prezantoja idetë e mia”, thotë Saveski.

Ai konsideron se kjo qasje nga Qeveria kishte për qëllim shmangien e dyshimeve për ndikim politik në kandidaturën e tij.

“Unë kështu e shoh këtë dhe sinqerisht, kjo më jep kënaqësi të madhe dhe besoj se qëllimi i Qeverisë me këtë qasje ndaj meje është pikërisht të dërgojë një mesazh se nuk duan të lënë hapësirë për dyshime se unë jam propozimi i tyre pas ndonjë takimi apo se ka ndonjë prapavijë”, deklaroi Saveski.

Sa i përket komunikimit të ardhshëm me institucionet, kryeprokurori paralajmëron se vetë do të iniciojë takime me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, por ekskluzivisht në drejtim të bashkëpunimit institucional dhe reformave.

“Shihni, asnjë institucion nuk mund të funksionojë i izoluar. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është i domosdoshëm, vetë sistemi ‘check and balance’ mbi të cilin është ndërtuar rendi ynë juridik kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Unë personalisht do të kërkoja takim me kryeministrin dhe me ministra konkretë me të cilët do të dëshiroja të bisedoja pasi të bëj një vlerësim të gjendjes në prokurori”, tha Saveski.

Megjithatë, ai theksoi se në takime të tilla nuk do të diskutohet për raste konkrete.

Sa i përket kritikave nga kryeministri për gjyqësorin, prokurori i shtetit thotë se nuk do t’i komentojë drejtpërdrejt, por vlerëson se çdo kritikë duhet të analizohet.

Kujtojmë se, Kuvendi zgodhi më 18 mars Saveskin si kryeprokuror, pasi më 10 mars, Qeveria zgjodhi Nenad Saveskin si kandidat për kryeprokuror. Ai ishte një nga katër kandidatët për të cilët Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim pozitiv në shkurt të këtij viti. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva deklaroi pas seancës se vendimi u mor pas një diskutimi konstruktiv në të cilin u morën në konsideratë të gjitha aspektet e kandidatëve – nga përvoja profesionale deri te integriteti personal.

Përndryshe, Saveski do të pasojë Ljupço Kocevskin si Prokuror Publik i Shtetit, i cili dha dorëheqjen nga pozicioni i tij më 16 dhjetor të vitit të kaluar, pak para seancës në të cilën do të diskutohej shkarkimi i tij me propozim të Qeverisë.