Trump thotë se SHBA dhe Irani kanë shanse reale për marrëveshje, nuk zbuloi me kë po negociojnë në Teheran

Donald Trump pretendon se i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner kanë zhvilluar bisedime me një zyrtar të lartë iranian mbrëmë dhe se ato do të vazhdojnë edhe sot. Kjo vjen pasi Trump shtyu sulmet ndaj centraleve elektrike iraniane për pesë ditë, duke zbuluar se ka pasur një “bisedë shumë të mirë dhe produktive” mes SHBA-së dhe Iranit, transmeton Portalb.mk.

“Kemi pasur bisedime shumë, shumë të forta. Do të shohim ku do të çojnë. Kemi pika kryesore të pajtimit, do të thosha pothuajse për të gjitha çështjet. Gjithçka që them është se kemi një mundësi reale për të arritur një marrëveshje”, tha Trump.

Ai nuk pranoi të tregojë me kë në Iran po bisedon SHBA-ja, përveçse theksoi se nuk bëhet fjalë për udhëheqësin suprem, Mojtaba Khamenei.

“Irani ka edhe disa liderë të tjerë. Po punojmë me një person për të cilin besoj se është më i respektuari dhe është lider. Kemi një shans shumë serioz për një marrëveshje, por nuk garantoj asgjë”, shtoi Trump.

Faqja amerikane “Axios” raportoi se Turqia, Egjipti dhe Pakistani janë takuar me Witkoff dhe veçmas me ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi. Trump tha se ka folur edhe me Izraelin, duke shtuar se “do të jenë shumë të kënaqur me atë që kanë”.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, mohoi raportimet mediatike se është takuar me Witkoff dhe Kushner, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë bisedim me SHBA-në.

“Këto janë lajme të rreme që përdoren për të manipuluar tregjet e naftës. Populli iranian kërkon ndëshkim të plotë të agresorëve dhe pendim të tyre”, tha Ghalibaf.

Trump deklaroi gjithashtu se Irani madje ka rënë dakord të dorëzojë programin e tij të armëve bërthamore në këmbim të paqes.

“Nesër në mëngjes sipas kohës së tyre prisnim të shkatërronim objektet e tyre më të mëdha të prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimi i të cilave kushtoi mbi 10 miliardë dollarë. Me një goditje gjithçka do të zhdukej. Pse do ta donim këtë? Ata telefonuan, jo unë. Ata duan të bëjnë marrëveshje. Dhe ne jemi shumë të gatshëm për një marrëveshje. Duhet të jetë një marrëveshje e mirë, të mos ketë më luftëra dhe armë bërthamore. Ata pajtohen me këtë”, tha Trump.