Rusia arrestoi gazetaren amerikane të Radios Evropa e Lirë

Rusia arrestoi të mërkurën një gazetare të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, rasti i dytë këtë vit që arreston një gazetar amerikan, raporton REL. Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, redaktore e Radios Evropa e Lirë, akuzohet se nuk u regjistrua si “agjente e huaj”.

Gazetarja, e cila shkoi në Rusi në maj për një urgjencë familjare, u ndalua për një kohë të shkurtër në qershor në një aeroport dhe iu konfiskuan pasaportat.

Ajo u arrestua të mërkurën dhe nëse shpallet fajtore mund të përballet me deri në pesë vjet burg.

Rusia e përfshiu Radion Evropa e Lirë/Radio Lirinë që financohet nga Kongresi amerikan, në listën e agjentëve të huaj në vitin 2020.

Sipas ligjit rus, individët dhe organizatat që marrin fonde nga jashtë emërtohen si agjentë të huaj, një term denigrues, që synon uljen e besueshmërisë së tyre në radhët e publikut rus.

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria ka refuzuar ta respektojë këtë ligj, duke thënë se do të ishte një ndërhyrje në proceset editoriale dhe do të kufizonte aftësinë e rrjetit për të kryer misionin e tij.

Gazetarja Kurmasheva “duhet të lirohet menjëherë dhe të kthehet tek familja e saj,” tha në një deklaratë Radio Evropa e Lirë, e cila ashtu si Zëri i Amerikës është pjesë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) gjithashtu dënoi ndalimin.

“CPJ është thellësisht i shqetësuar nga ndalimi i gazetares amerikano-ruse Alsu Kurmasheva nën akuza të rreme penale dhe u bën thirrje autoriteteve ruse ta lirojnë menjëherë dhe të rrëzojnë të gjitha akuzat kundër saj,” tha në një deklaratë Gulnoza Said, e cila mbulon Rusinë për organizatën.

“Gazetaria nuk është krim dhe ndalimi i Kurmashevës është një provë e mëtejshme se Rusia është e vendosur të asfiksojë gazetarinë e pavarur,” shtoi zonja Said.

Ambasada e Rusisë në Uashington nuk i është përgjigjur emailit të Zërit të Amerikës për një reagim për ngjarjen.

Zonja Kurmasheva është e dyta mes gazetarëve amerikanë që arrestohet nga Rusia.

Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich ndodhet në paraburgim në Moskë që nga marsi. Ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy u takua me zotin Gershkovich të martën, një javë pasi një gjykatë refuzoi apelin e fundit për lirimin e tij.

Ambasada amerikane tha në një deklaratë se zoti Gershkovich “vazhdon të jetë në humor të mirë, pavarësisht rrethanave të tij të vështira” dhe tha se SHBA vazhdon të bëjë thirrje për lirimin e tij.