Rritje e aktivitetit depozitues dhe kreditimit në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rritje e aktivitetit depozituese dhe kreditimit, ndërkohë norma e përgjithshme e kredive joperformuese shënoi rënie historike, transmeton Portalb.mk.

“Kreditimi dhe aktiviteti depozitues shënuan rritje edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, por me një ritëm më të ngadaltë në krahasim me tremujorin paraprak, kryesisht si pasojë e efekteve sezonale, të cilat zakonisht janë më të theksuara në tremujorin e parë të vitit”, raportoi Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Në Raportin e Këshillit të Bankës Popullore në lidhje me rreziqet në sektorin bankar, u theksua ruajtja e stabilitetit, ndërkohë norma e përgjithshme e kredive joperformuese është ulur në nivelin historik prej 1.9 përqind.

“Sektori bankar ka vijuar të ruajë stabilitetin e tij, me nivel të lartë të aftësisë paguese, likuiditet të kënaqshëm dhe me kapacitet të mirë për menaxhimin e goditjeve të mundshme, siç dëshmojnë edhe rezultatet e testeve të stresit të realizuara”, raportoi Banka.