Rrëshqitje pas reshjeve, rrezik për qytetarët: Rruga e Banjës në Tetovë ende pa zgjidhje

Pavarësisht ndërhyrjeve, ende nuk ka zgjidhje të përhershme për dheun që rrëshqet përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës. Situata bëhet më alarmante çdoherë kur ka reshje të shiut, siç ndodhi dje, kur dheu rrëshqiti dhe bllokoi rrugën. Këshilltarët komunalë apelojnë që kjo situatë të trajtohet si prioritet, ndërsa nga komuna konfirmojnë se këtë vit do të ndërtohen mure mbajtëse në pikat më kritike, shkruan Portalb.mk.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën përgjatë Banjës së Tetovës rrëshqiti përsëri dheu ndërsa autoritetet apeluan që qytetarët të shmangin kalimin deri në përmirësimin e situatës.

Ky rast nxori në pah problemin e kamotshëm për të cilin ende nuk ka zgjidhje të përhershme, pavarësisht se janë ndërtuar disa mure mbajtëse dhe janë bërë intervenime herë pas here.

Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i kësaj zone, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor.

Këshilltari i pavarur komunal nga ‘Më Mirë për Tetovën’, Agron Arifi thotë se çdo ndërhyrje e bërë në shpejtësi, pa zgjidhje të plotë dhe profesionale, ka shërbyer më shumë për imazh sesa për ta zgjidhur problemin në rrënjë.

“Kjo është një çështje që duhet patjetër të diskutohet seriozisht në Këshillin Komunal dhe të trajtohet si prioritet. Nevojitet zgjidhje e qëndrueshme, e bazuar në analiza teknike dhe planifikim afatgjatë, që të mos i ekspozojë banorët dhe qytetarët ndaj rrezikut pas çdo reshjeve. Vetëm me përgjegjësi institucionale dhe vendimmarrje të menduar mirë mund të shmangim që ky problem të vazhdojë të përsëritet nga viti në vit”, tha Arifi për Portalb.mk

Shqetësime për këtë problem ngre edhe këshilltari i BDI-së, Berat Murati. Ai për Portalb.mk tha se në seancën e radhës të këshillit do të kërkojë zgjidhje dhe detaje konkrete për zgjidhjen e këtij problemi emergjent.

“Është shumë shqetësim çështja e rrëshqitjes së dheut në rrugën e Banjës por edhe në fshatin Xhermë. Në seancën e radhës ku besoj se do jetë në fund të muajit janar, do të kërkoj që në afat sa më të shkurtër të ndërtohen mure mbajtëse në të gjitha pikat ku dheu është delikat për rrëshqitje”, tha Murati.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se për vitin 2026 kanë paraparë që të ndërtohen mure mbajtëse edhe në segmentet e tjera të rrugës, duke filluar nga vendet më kritike, sipas rekomandimeve të studimit të UNDP-së dhe bazuar në nevojat prioritare infrastrukturore.

“Punimet do të planifikohen dhe realizohen në përputhje me buxhetin dhe afatet ligjore, me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë së zonës”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.