Rrëqebulli ballkanik i pranishëm në Parkun Kombëtar Mali Sharr

Rrëqebulli ballkanik është vërejtur edhe në Parkun Kombëtar Mali Sharr. Nëpërmjet një video të publikuar në faqen e tyre në Facebook, nga Mali Sharr thanë se, prania e kësaj kafshe të rrallë në këtë park, është zbuluar përmes kamerave kurth, të cilat u vendosën nga fillimi i vitit, për të monitoruar kafshët e egra, shkruan Portalb.mk.

“Jemi të emocionuar të ndajmë informacionin që kemi konfirmuar praninë e tij në zemër të Malit Sharr, në Leshnicë. Rrëqebulli ballkanik (Lynx lynx balcanicus) është një grabitqar dhe është një kafshë e egër jashtëzakonisht e rrallë. Ai është një nga llojet kyçe të zgjedhura dhe është një tregues i i mirë i gjendjes shëndetësore të ekosistemit.

Lokaliteti Leshnicë është një zonë e veçantë për shkak të vlerave të shumta, dhe konfirmimi se është një habitat i rrëqebullit është një argument shtesë se meriton trajtim të veçantë”, thonë nga ky park.

Rikujtojmë se, rrëqebulli ballkanik është një nga macet e mëdha më të rralla në planet, me popullatë prej më pak se 50 rrëqebuj të vetëm, prej të cilëve pjesa më e madhe, rreth 40 prej tyre jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të tjerët mund të hasen në Shqipëri dhe Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës (IUCN), e rangon rrëqebullin ballkanik si në rrezik kritik, ndërsa pjesa më e madhe e rreziqeve për mbijetesën e tij janë vepër e njeriut.

Prerja e pyjeve për ndërtim të rrugëve, ose objekteve të tjera i shkatërron dhe i copëton vendbanimet e rrëqebullit, e pamundëson të popullojë hapësira të reja dhe të komunikojë me rrëqebuj të tjerë nga rajone më të largëta që në vitet e fundit rezultoi edhe me një rrezik tjetër, e ky është shumimi me lloj të përafërt ose inbriding.