Rob Jetten fitoi zgjedhjet në Holandë si udhëheqës i forcave pozitive, pritet të marrë postin e kryeminstrit

Lideri i partisë holandeze të qendrës D66, Rob Jetten (38), e transformoi imazhin e tij gjatë fushatës nga ministër i mërzitshëm i klimës dhe energjisë në një politikan optimist që vazhdon të thotë “po, ne mundemi”. Ai tani është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministri më i ri në historinë e Holandës, pas paraqitjes së fortë të partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të djeshme, transmeton Portalb.mk.

D66 ka të ngjarë të ketë të njëjtin numër vendesh si Partia e Lirisë e krahut të djathtë, me 26, por do të jetë favoriti për të formuar qeveri sepse do ta ketë më të lehtë të gjejë partnerë koalicioni.

Me një mesazh të modifikuar dhe shpenzime të rritura për reklama, Jetten është larguar nga temat tradicionale social-liberale të D66-ës për ndryshimet klimatike dhe arsimin, duke iu drejtuar çështjeve kontraverse të imigracionit dhe krizës së strehimit. Gjatë këtij procesi, Jetten ka arritur të fitojë mbështetjen e disa prej votuesve që më parë favorizonin partitë e krahut të djathtë.

Asnjë udhëheqës tjetër politik nuk ishte aq i pranishëm në media gjatë fushatës sa Jetten. Vështirë se kalonte një mbrëmje pa të në televizion. Kur udhëheqësi i ekstremit të djathtë Geert Wilders anuloi një paraqitje për arsye sigurie, Jetten shfrytëzoi rastin për të zënë vendin e tij. Ai madje garoi në shfaqjen popullore të kuizit “Personi më i zgjuar”, i cili u xhirua disa muaj më parë.

Jethen akuzoi Wilders për rrëmbim të identitetit holandez dhe krijim të përçarjeve. Duke iu përmbajtur qasjes së tij optimiste, Jethen postoi një mesazh në Instagram përpara zgjedhjeve, duke thënë se ishte koha që forcat pozitive të fitonin.

“Së bashku mund ta mposhtim Wilders, jam gati”, tha ai.

I lindur në provincën jugore të Brabantit, Jetetn ka qenë mbështetës i D66 që kur ishte i ri, e cila e përshkruan veten si një parti progresive dhe socialisht liberale. Ai u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 2017, pas së cilës u bë ministër për politikat e klimës dhe energjisë në qeverinë e Mark Rutte, dhe kolegët e tij thonë se ai ka qenë shumë agresiv në çështjet e klimës.

Nën udhëheqjen e tij, D66 fitoi vetëm nëntë vende në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2023, dhe disa kritikë e kanë quajtur atë “Robot Jeten” për paraqitjet e tij të ngurta dhe të mërzitshme publike. Mbështetësit e tij, megjithatë, e shohin atë si një version të ri të Mark Rutte, i cili tani është kreu i NATO-s.

Udhëheqësi liberal ka ambicie të mëdha, dhe sfida e tij më e madhe do të jetë përballja me krizën e strehimit në Holandë, ku ka një mungesë prej rreth 400,000 shtëpish. Jetten dëshiron ta zgjidhë këtë duke ndërtuar 10 qytete.