RMV, tri herë më shumë raste me Covid në gusht krahasuar me korrikun, vaksina ende s’ka

Gjatë vitit 2024 dhe deri më 8 shtator janë regjistruar gjithsej 1.503 persona të infektuar me Covid-19. Në muajin gusht është regjistruar një rritje prej 3.3 herë krahasuar me muajin paraardhës. Megjithatë, në javën e parë të shtatorit janë regjistruar 111 të sëmurë, bëjnë të ditur Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

Ndonëse autoritetet shëndetësore rekomandojnë vetëm vaksinimin si masë specifike parandaluese dhe megjithëse ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 26 gusht kishte paralajmëruar prokurimin e 11 mijë vaksinave, ende nuk ka vaksina në dispozicion të qytetarëve në institucionet shëndetësore publike.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka përgjigje për pyetjen se nga cili prodhues do të blihen vaksinat dhe kur do të jenë në dispozicion.

Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se gjatë vitit 2024 deri më 8 shtator janë regjistruar gjithsej 1503 të sëmurë dhe 16 të vdekur të lidhur me Covid-19. Që nga shfaqja e rastit të parë me Covid-19 në RMV (26 shkurt 2020), deri më 8 shtator të këtij viti janë raportuar gjithsej 351.819 të infektuar me Covid dhe 9.995 persona të vdekur si pasojë e virusit.

Shumica e të sëmurëve janë të regjistruar në Shkup, Manastir dhe Kumanovë, ndërsa më shumë raste janë regjistruar në Kavadar. Vdekshmëria më e lartë është regjistruar në Ohër, Kavadar dhe Prilep.

“Rekomandohet respektimi i masave bazë për parandalimin e Covid-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive të rrugëve të frymëmarrjes. Vaksinimi mbetet masë specifike parandaluese që siguron mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes, megjithëse ky efekt mbrojtës zvogëlohet me kalimin e kohës. Vazhdon rekomandimi për vaksinimin e personave me rrezik të lartë të formave të rënda të sëmundjes (si p.sh. të moshuarit)”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Doktori Nikolla Panovski, tha se është absurde të rekomandohet që popullata të vaksinohet, ndërsa në objektet shëndetësore nuk ka vaksina.

“Personat mbi 60 vjeç duhet të marrin vaksinën. Por si mund të rekomandohet vaksinimi, kur autoritetet nuk i kanë prokuruar vaksinat? Duhet të merret një qëndrim, në çfarë kushtesh dhe kush duhet të marrë një dozë të re, pastaj për kë duhet të jetë falas e kështu me radhë”, thotë Panovski.