RMV, të rinjtë dokumentuan multikulturalizmin në vend përmes fotografisë
Në kuadër të projektit “Aktivizmi rinor për multikulturalizëm – të kujdesesh, të veprosh!”, të rinjtë dokumentuan multikulturalizmin në vend përmes fotografisë, transmeton Portalb.mk.
Dje u hap ekspozita “Fuqia e të rinjve për unitet: Ndërtimi i një të ardhmeje multikulturore”, ku mund të shiheshin fotot e të rinjve pjesëmarrës. Ata ishin trajnuar më parë nga fotografë profesionistë në bazat e fotografisë dhe detyra e tyre ishte të dokumentonin trashëgiminë kulturore në komunitetet e tyre.
Nëpërmjet aktivitetit, të rinjtë përmirësuan aftësitë e tyre fotografike duke mësuar për kulturat dhe zakonet e ndryshme në të gjithë vendin.
“Kjo përvojë na mësoi se bashkimi dhe multikulturalizmi nuk janë vetëm fjalë, por nevojë reale për të ardhmen e vendit tonë. Ne jemi të gatshëm të ndryshojmë shoqërinë dhe ta bëjmë atë më gjithëpërfshirëse për të gjithë”, tha një nga pjesëmarrësit.
Ngjarja u organizua nga Analitika think-tank, në bashkëpunim me Iniciativën për Integrim Civil IGI Gostivar dhe Organizatën e Grave Strumicë.