RMV, subvencionet për gazifikimin e familjeve mbeten të hapura deri në fund të tetorit

Afati për aplikim për mbështetjen shtetërore, përmes së cilës familjet mund të sigurojnë një lidhje me rrjetin e gazit natyror ose të blejnë kaldajë me gaz, është zgjatur deri në fund të tetorit të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët mund të përfitojnë deri në 30.000 denarë, ose deri në 70 për qind të shpenzimeve të bëra për lidhjen me rrjetin e gazit natyror ose për blerjen e një kaldaje me gaz.

Siç njoftojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, për zbatimin e kësaj mase janë siguruar 3 milionë denarë, ndërsa mjetet do të ndahen sipas parimit “i pari që aplikon – i pari përfiton”, deri në shterimin e fondit.

Të drejtë aplikimi kanë familjet që gjatë vitit 2026 do të realizojnë lidhje shtëpiake me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe familjet që do të blejnë një kaldajë me gaz për një objekt që tashmë ka qenë i lidhur me sistemin deri më 1 janar 2026. Çdo familje mund të paraqesë vetëm një kërkesë.

“Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të interesuar që t’i dorëzojnë me kohë kërkesat e tyre, në përputhje me kushtet e shpalljes publike. Më shumë informacione mund të gjenden në faqen zyrtare të ministrisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, një komision i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë aplikimet e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që plotësojnë kushtet e përcaktuara. Qëllimi i kësaj mase është të ndihmojë qytetarët të investojnë në sisteme ngrohjeje më ekonomike, më efikase dhe më miqësore ndaj mjedisit.