RMV, shtohen pacientët që vuajnë nga alergjitë

Deri nga mesi i shekullit 21, çdo i dyti fëmijë në botë pritet të preket nga ndonjë lloj i alergjisë. Kështu thonë nga Klinika e fëmijëve në Shkup duke shtuar se ndjehen të shqetësuar për rritjen e numrit të rasteve me alergji. Sipas drejtuesve të këtij institucioni në klinikë tashmë dominojnë rastet me simptoma alergjie të cilat po marrin trajtimin e duhur, transmeton Alsat-M.

“Shërimi, sigurisht që shkon fillimisht përmes ambulancës mirëpo gjatë kësaj periudhe, respektivisht periudhës pranverore kemi rritje të numrit të fëmijëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor, për shkak të laringiti i përsëritur, bronko-obstruksionet e përsëritura, gjegjësisht përkeqësimet e sëmundjes astmatike”, tha Valentina Cvejoska Çollakovska, drejtoreshë e Klinikës së fëmijëve.

Sipas drejtoreshës Valentina Cvejoska Çollakovska, ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të fëmijëve me alergji janë ngrohja globale dhe ndotja e ajrit dhe ushqimi me cilësi të dyshimtë.

“Nga mosha shumë e hershme fillojnë me manifestimin e alergjive dhe zgjat gjatë gjithë jetës. Shkaku i rritjes së numrit të alergjive në moshën fëmijërore është multifaktorial. Kujdes i veçantë i kushtohet këtij problemi por nuk mund të fajësohet vetëm një nga faktorët, bëhet fjalë për multifaktorialitet, para se gjithash ka të bëj ngrohjen globale, ndotja globale e ajrit. Gjithçka e ndotur që thithim, hamë dhe pimë është shkaku kryesor për rritjen e numrit të alergjive në kornizë botërore, nuk është vetëm te ne”, shtoi Çollakovska.

Kollitje, temperaturë, teshtitje dhe skuqje e syve janë disa nga simptomat që karakterizojnë alergjinë. Alergjitë më të shumta janë: alergji nga ushqimi, medikamentet, pickimi i insekteve dhe alergjitë stinore. Mjekët këshillojnë personat që kanë alergji nga poleni ta shmangin ekspozimin në vendet ku ka më shumë lule dhe pemë. Sipas mjekëve, mostrajtimi i alergjisë mund të shkaktojë komplikacione, një ndër to astma, andaj bëjnë thirrje që simptomat të mos nënvlerësohen.

Mjekët apelojnë trajtim adekuat, jo thjesht qetësues dhe mbi të gjitha vaksinimin e rregullt. Sipas të dhënave të mjekëve, në Evropë 60% e popullatës është e prekur nga alergjitë nga të cilët 15 deri në 20% vuajnë një formë të rëndë të sëmundjes.