RMV, rreth 100 gra u ngjitën në Majën e Titos për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit
“Maja e Titos me fjongo”. Kështu është titulluar turit të ecjes deri në majën më të lartë të Malit Sharr dedikuar vetëm për gratë. Në majë u ngjitën rreth njëqind alpiniste nga më shumë klube nëpër gjithë shtetin. Organizator është klubi alpinist “H2O” nga Shkupi, njofton Portalb.mk.
Arsyeja për këtë tur të ecjes që u mbajt të shtunën ishte muaji tetor kur organizohen aktivitete për ngritje të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
“Aksionin që e filluam në kushte të dukshmërisë së zvogëluar dhe edhe pse në disa momente menduam se ndoshta duhet të dorëzohemi dhe kthehemi, shresa dhe qëndrueshmëria na tregonin se kur diçka dëshironi fuqishëm dhe sinqerisht, i gjithë universi bashkohet dhe bashkëpunon në dobinë tuaj”, deklaroi Sibel Jakupoviq, udhëheqëse alpiniste.
Pjesëmarrësja më e moshuar në tur ka qenë një grua 74 vjeçe. Midis tyre ka pasur nëna vetëushqyese, disa nëna kanë qenë me foshnjat e tyre, ndërsa ka pasur edhe vajza me nënat e tyre.
“Kishte gra të cilat krahas të gjithë sfidave shëndetësore dhe jetësore kanë korrur edhe një betejë me veten. Kishim gra të cilat kanë korrur fitore ndaj kancerit të gjirit, kishim gra të cilat me këllk artificial na dha mësim për atë se çfarë do të thotë të jesh grua dhe të jesh luftëtare”, theksoi Jakupoviq.
Organizatorët dëshirojnë edhe ta ngrisin ndërgjegjësimin për atë se çfarë do të thotë lëvizje në grup dhe cili është qëllimi i këtij aksioni.
“Për të gjithë luftëtaret falënderim i madh, për të gjithë ju që nuk hoqët dorët, për të gjithë ju që treguar durim, empati, mirëkuptim, për të gjithë që u kujdesët për shoqet, miket, motrat, vajzat, nënat e juaja, ju faleminderit për pjesëmarrjen. Ju jeni motivimi juaj për të gjithë këto aksione”, porositi Jakupoviq.
Aksioni është mbështetur edhe nga Federata për sporte malore.
Ndryshe, 346 gra vitin e kaluar e humbën betejën me kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët e fushës theksojnë se zbulimi i hershëm parandalon sëmundjen, andaj vetë-kontrollet dhe kontrollet te mjeku duhet të jenë të rregullta. Gjatë vitit 2022 në Botë 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit ndërsa 670 mijë e humbën jetën.
Rekomandohet që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 vjet dy herë në vit. Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit i prek edhe burrat, përafërsisht 1 përqind e rasteve të kancerit të gjirit regjistrohen te burrat.