RMV, reshjet e shiut shuan të gjitha zjarret në vend

Të 22 zjarret në ambient të hapur janë shuar nga reshjet e shiut, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

“Shiu ka ndihmuar në shuarjen e të gjitha zjarreve në territorin e shtetit”, njoftoi QMK.

Kështu, zjarret janë shuar në komunat Prilep, Dollnen, Çashkë, Berovë, Zhelinë, Likovë, Nagoriçan i Vjetës, Zelenikovë, Gazi Babë, Çuçer Sandevë, Haraçinë, Kërçovë dhe Rosoman.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) dje bëri të ditur se kanë vetëm një “ertraktor” funksional nga tre që kanë.

Ndryshe, zjarret kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shpeshtuar, kjo për shkak edhe të stinës së nxehtë të verës, por edhe për shkak të pakujdesisë së njerëzve.

Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.