RMV, qytetarët të mos hapin ftesa të rreme ose dokumente që iu vijnë në emër të MPB-së ose Europolit

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se disa shtetasve dhe personave juridikë, nga autorë që përfaqësohen rrejshëm në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-it, u janë dërguar ftesa të rreme në lidhje me një hetim të pretenduar në vijim e sipër. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, transmeton Portalb.mk.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien në mashtrime të tilla dhe Departamenti i Krimit Kompjuterik në MPB po ndërmerr tashmë masat dhe aktivitetet e duhura për sanksionimin ligjor të autorëve”, thonë nga MPB.

Sektori i Krimit Kompjuterik u bën gjithashtu thirrje qytetarëve dhe personave juridikë që të mos hapin dokumente të bashkëngjitura me mesazhe që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar të njohur për ta, të mos bien në mashtrime të këtij lloji dhe subjektet juridike të marrin masat e duhura për të mbrojtur sistemet e tyre kompjuterike nga malware të mundshëm në përputhje me procedurat e tyre të brendshme të sigurisë kibernetike.

Kujtojmë se sipas  publikimit të botuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, format më të shpeshta të sulmeve fishing janë paralajmërimet e rreme nga bankat ose organizatat e tjera financiare në të cilat përdoruesit i kërkohet të japë të dhënat personale për të parandaluar mbylljen e llogarisë, ueb-faqet mashtruese që e bindin përdoruesin të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një produkt me ç’rast kryhet një pagesë në një llogari të rreme, mesazhet e rreme nga një administrator në të cilat kërkohen të dhëna të ndryshme nga përdoruesi, si për shembull një fjalëkalim, ose njoftimet e ndryshme me të cilat mashtruesit përpiqen të zhvasin para për një bamirësi të rreme.