RMV, përplasje mes partive për ligjin e “branitellave”, Mickoski: Do ta kenë mbështetjen time
Sot kan vijuar përplasjet për ligjin e “branitellave” mes partive. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska nuk e ka dorëzuar Ligjin për branitellat në Kuvend sepse mendon mirë për “branitellat”, por për të krijuar “një situatë të këtillë”. Deklarata e tij vjen pasi liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Arben Taravari, u shprehën kundër ligjit, transmeton Portalb.mk.
“Këtë ligj që dje ishte në rend dite e ka dorëzuar deputetja Sllavjanka Petrovska, pra LSDM-ja, dhe ajo që është interesante është se kur u votua nevoja për miratimin e rendit të ditës, LSDM-ja u largua nga seanca. Pse po e përmend këtë, sepse vetë deputetja dhe LSDM-ja nuk po e dorëzojnë ligjin sepse u mendojnë mirë “branitellave”, por për të krijuar këtë situatë, sërish për tensione etnike, intolerancë sepse do të jetë karta me të cilën ata dhe partitë e tjera pa dallim, nga nga blloku maqedonas apo shqiptar do të luajnë në periudhën në vijim”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në hapjen e sotme të kompleksit sportiv “Branitelli” në Komunën e Butelit, duke shtuar se “branitellat” e kanë mbështetjen e tij të qartë.
Më herët, ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, tha se deputetët e koalicionit VLEN janë kundër ndryshimeve në Ligjin për “branitellat” pa miratimin e ligjit që do të rregullojë privilegjet e pjesëtarëve të UÇK-së. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se është i shqetësuar për ligjin dhe do të ulet të bisedojë me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE për të gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë nga BDI thonë se VMRO e detyroi VLEN-in ta përkrahë Ligjin për “branitellat” në Kuvend.
“Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se i gjithë opinioni publik kombëtar ishte dëshmitar i dyfytyrësisë së humbësve të zgjedhjeve dhe shërbëtorë të VMRO nga rradhët e Vlen me rastin e votimit të propozim ligjit për “branitella” në rendin e ditës në seancën e djeshme në Kuvend. Deputetët humbës të Vlen në fillim deklaruan që janë kundër dhe do ta pengojnë miratimin e ligjit për branitella, e braktisën seancën, ndërsa pas telefonatës nga pronarët e tyre nga VMRO, u kthyen me bishtin e paluar dhe mundësuan kuorum për miratimin e rendit të ditës me gjithë Ligjin për branitella. Ky veprim flet që Vlen janë peng të VMRO dhe po marrin në qafë shqiptarët me çdo veprim të tyre. Flamuri kombëtar, gjuha shqipe, ish ushtarët e UÇK, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, balanseri, u turpëruan para Kosovës dhe Shqipërisë dhe çdo të arritur kombëtare e cënuan oër më pak se 100 ditë”, thonë nga BDI.
Maqedonia e veriut duhet të jetë vend i barabartë për të gjithë qytetarët, e jo për disa nënë, e për të tjerët njerkë.
Kujtojmë se seancën e djeshme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u miratua nevoja për miratimin e ligjit që rregullon të drejtat e “branitellave”.
Propozimi për ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre është dorëzuar nga deputetja e LSDM-së Slavjanka Petrovska.
Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.