RMV, për një javë 131 pacientë të rinj me Covid-19

Nga data 26 gusht deri më 1 shtator, nga gjithsej 379 të testuar, janë regjistruar 131 raste të reja pozitive me Covid-19, që paraqet një rënie prej 38,5 përqind krahasuar me javën e kaluar, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, transmeton Portalb.mk. 

Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi – 67, Ohri – 15, Tetova – 11 dhe nga Kavadari – dhjetë. Janë regjistruar persona të sëmurë në të gjitha grupmoshat, ndërsa numri më i madh i rasteve janë mbi 60 vjeç. 194 persona kanë marrë statusin e “të shëruarit”. Gjatë javës së fundit nuk është raportuar asnjë vdekje e lidhur me Covid-19.

Të dhënat tregojnë se që nga shfaqja e rastit të parë me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, më 26 shkurt 2020, dhe deri më sot janë raportuar gjithsej 351.708 të sëmurë dhe 9.995 persona të vdekur nga koronavirusi. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 1.392 të sëmurë dhe 16 të vdekur.

“Rekomandohet respektimi i masave bazë për parandalimin e Covid-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive të rrugëve të frymëmarrjes. Vaksinimi mbetet një masë specifike parandaluese që siguron mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes, megjithëse ky efekt mbrojtës zvogëlohet me kalimin e kohës. Vazhdon rekomandimi për vaksinimin e personave me rrezik të lartë të sëmundjeve të rënda dhe rezultateve të dobëta – siç janë të moshuarit”, shtohet në raportin e Institutit.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se këtë javë do të mbërrijnë 11 mijë vaksina kundër Covid-19. Pas rritjes së numrit të rasteve të personave të infektuar me koronavirus, së shpejti do të nisë edhe vaksinimi i atyre qytetarëve që duan të marrin vaksinën.