RMV, pas helmimit me pesticidin e ndaluar Metomil dy persona në gjendje të rëndë, dje humbi jetën një 47-vjeçare

Dy persona po luftojnë për jetën në Klinikën Nënë Tereza pasi kanë konsumuar petën vdekjeprurëse. 79-vjeçarja C.S nga Shkupi ndodhet në komë në KARIL, ndërsa djali i saj 55-vjeçar Gj.S po lufton për jetën në Klinikën Infektive, ka konfirmuar për Telmën drejtori i Toksikologjisë Genc Selmani, transmeton Portalb.mk.

Sot do të bëhet autopsia në trupin e 47-vjeçares D.Q, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme dhe pritet të përfundojë për të paktën dy javë, konfirmoi i pari i mjekësisë ligjore Aleksandar Stankov.

Ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes kur i ka parë një fqinj dhe ka lajmëruar menjëherë ambulancën dhe më pas i është dhënë ndihma mjekësore.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth pesë ditë më parë kur tre persona, nusja, vjehrra dhe djali hëngrën petë të gatuar vetë në shtëpi, pas së cilës u helmuan. Dje ka ndërruar jetë nusja, ndërsa djali dhe vjehrra po luftojnë për jetën.

Shkak ka qenë helmimi akut me pesticidin Metomil, gjegjësisht Lanate, gjë e cila është vërtetuar edhe nga analizat e mjekësisë ligjore. Ngjarja është raportuar në Ministrinë e Brendshme dhe po merren masa për zbardhjen e saj.

Për gruan e ndjerë është dërguar edhe raport në Prokurorinë Publike nga Klinika Infektive, pas së cilës menjëherë është urdhëruar që të bëhet obduksioni i trupit. Hetimi duhet të tregojë nëse helmi është futur në petë me qëllim apo rastësisht.

Disa nga fqinjët thonë se me gjasë bëhet fjalë për fatkeqësi të kobshme, kur në vend të kripës, gjyshja të ketë futur helm në petë. Pesticidi Lanate periot ka kohë që është i ndaluar në Maqedoni dhe ende nuk dihet se si ka hyrë në vend, duke qenë se prej vitesh përdoret për helmimin e qenve.