RMV, padi penale ndaj pesë personave për falsifikim parash

Pesë persona janë arrestuar të premten për shkak se dyshohet se kanë kryer veprën penale “falsifikim i parave”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për katër persona nga Shkupi – A.A. (31), M.A. (24), D.S. dhe Z.R. dhe një nga Kriva Pallanka – I.M. (23).

Muajin e kaluar kanë rënë në kontakt me një person nga Shkupi, i cili u ka ofruar kartëmonedha të falsifikuara në prerje prej 100 euro dhe nga ai kanë blerë 9 kartëmonedha të falsifikuara për shumën prej 18.000 denarë.

Gjatë muajit shkurt dhe mars, në pesë raste në Kumanovë dhe Kriva Pallankë, personat kanë blerë produkte nga persona të ndryshëm juridikë, me çka kanë përfituar përfitim pasuror të kundërligjshëm prej 500 euro.

Të pestëve u është hequr liria, ndaj tyre është bërë kallëzim penal dhe për të gjithë gjyqtari në procedurë paraprake ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.