RMV, nga sot nis aplikimi elektronik për akomodim në konviktet për studentë në vitin akademik 2024-2025

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend, se është publikuar Konkursi për pranimin e studentëve të regjistruar në studime deridiplomike në konviktet shtetërore për student dhe objektet e tjera për akomodim në vend për vitin akademik 2024/2025, transmeton Portalb.mk.

Në konkurs janë siguruar 4303 vende, nga të cilat 1034 vende janë për studentë të vitit të parë ndërsa 3269 janë paraparë për studentë të vitit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë, si dhe për absolventë.

Në deklaratën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës thuhet se të drejtë pranimi kanë studentët e rregulltë të cilët janë nënshtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të cilët mësojnë jashtë vendbanimit të tyre,të regjistruar në studimet deridiplomike me kohëzgjatje prej: më pak se tetë semestra, ndërsa nuk kanë përsëritur vitin studimor; tetë semestra, ndërsa nuk ka përsëritur më shumë se një vit studimi, dhe mbi tetë semestra, ndërsa nuk ka përsëritur më shumë se dy vite studimi.
Gjithashtu, të drejtë pranimi kanë edhe studentët e rregullt, të cilët janë të regjistruar në universitetet publike dhe institucionet e arsimit të lartë, ndërsa janë përzgjedhur me Konkurse, Vendime, Aktvendime, Marrëveshje etj., gjegjësisht: bursa qeveritare-studentë me prejardhje nga Maqedonia, studentë nga jashtë të cilët studiojnë në universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, studentë konform programit CEEPUS, studentë sipas marrëveshjeve bilaterale.

Studentët të cilët i plotësojnë kushtet e konkursit, duhet të plotësojnë aplikacionin elektronik dhe t’ia bashkangjesin të gjithë dokumentacionin. Afati për regjistrimin e studentëve nga viti II dhe vitet më lartë fillon nga data 15.7.2024 dhe zgjat deri më 31.7.2024.  Afati për regjistrimin e studentëve nga viti i I fillon nga data 10.9.2024 dhe zgjat deri më 17.9.2024.

Nëse pas publikimit të listave përfundimtare me studentë të pranuar sipas konvikteve, mbeten kapacitete akomoduese të paplotësuara në konvikte të caktuara, regjistrimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni më 30.11.2024.

Konkursi së bashku me të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim për akomodim në konviktet e studentëve publikohet në këtë link.