RMV, nga dita e sotme ulje e temperaturave, shira të rrëmbyeshëm dhe erëra

Aktiviteti ciklonik në Mesdhe nga sot deri në mesin e javës së ardhshme do të shkaktojë ndryshim të motit, reshje të rrëmbyeshme, bubullima, erëra të forta dhe breshër. Moti i ndryshueshëm, i vranët dhe i paqëndrueshëm do të sjellë edhe rënie graduale të temperaturave ditore. Në Shkup, gjithashtu deri në mesin e javës së ardhshme do të ketë paraqitje të shpeshtë të reshjeve të rrëmbyeshme dhe bubullima, ndërsa në pjesë të luginës edhe në formë të stuhisë me reshje të dendura të shiut, erë të fortë dhe breshër, transmeton Portalb.mk.

Sipas informatave nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, sot do të mbajë mot me diell me vranësira të ulëta deri në mesatare, me temperaturë deri në 36 gradë celsius, ndërsa nga pasditja e sotme në disa vende priten reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Në Shkup gjithashtu moti do të jetë jostabil pasdite dhe në mbrëmje me reshje të rrëmbyeshme, bubullima, erë të fortë dhe kushte për paraqitje të stuhive. Ndërsa nesër temperaturat do të arrijnë deri në 36 gradë, kurse moti do të jetë I ndryshueshëm me vranësira, në shumë vende do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë, në pjesë lokale në formë stuhie me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erë e fortë dhe breshër .

Stuhia në orët e pasdites do të vazhdojë edhe javën e ardhshme deri të enjten, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 21 gradë dhe ato maksimale nga 28 deri në 35 gradë.