RMV, muajin e ardhshëm do të fillojë debati publik për Ligjin e ri për mbojtjen e natyrës

Me rastin e 21 Marsit – Ditës Botërore të Pyjeve, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, informoi opinionin se gjatë muajit të ardhshëm do të fillojë debati publik për Ligjin e ri për mbrojtjen e natyrës, raporton MIA.

Sipas tij, me këtë rregullore ligjore përmirësohet në mënyrë thelbësore mbrojtja e ekosistemeve natyrore, me theks të veçantë në ruajtjen e zonave pyjore.

Pyjet përfaqësojnë një nga shtyllat më të rëndësishme të pasurisë sonë natyrore, të cilat përveç se janë habitat i një biodiversiteti të pasur, sigurojnë ajër dhe ujë të pastër dhe kanë rol kyç në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike. Mbrojtja e integruar dhe menaxhimi strategjik i këtyre burimeve janë thelbësore për ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe sigurimin e stabilitetit ekologjik të vendit.

Ministria bën thirrje të hapur për institucionet përkatëse, komunitetin profesional dhe sektorin civil që të përfshihen aktivisht në procesin e ardhshëm konsultativ. Mbrojtja e natyrës është përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen, prandaj është i domosdoshëm një kontribut i gjerë në krijimin e një zgjidhjeje ligjore cilësore dhe gjithëpërfshirëse, e cila do t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore mjedisore.

Ndryshe, “Eko Svest”, së bashku me 14 organizata të tjera të shoqërisë civile mjedisore, në muajin shkurt i ka kërkuar ministrit të ri të Mjedisit, Muamet Hoxha, që të miratojë urgjentisht një ligj të ri për natyrën.

Në letrën drejtuar ministrit, organizatat e shoqërisë civile nxjerrin në pah problemin e mekanizmave joefektivë për mbrojtjen e natyrës dhe presionin nga infrastruktura dhe projektet e tjera të zhvillimit mbi peizazhet dhe vlerat natyrore, dhe theksojnë se çështja e mbrojtjes së natyrës nuk trajtohet si përparësi në vend.