RMV, mbi 2 milionë euro do të kushtojnë targat dhe ngjitëset e automjeteve me shenjën “NMK”

Ministria e Punëve të Brendshme ka përfunduar procedurën për blerjen e targave dhe ngjitëseve për automjetet me markën e re “NMK”. Kontrata e cila peshon 2.2 milionë euro është shpallur në Byronë e Prokurimit Publik, ndërsa tenderin e kanë fituar një grup ofertuesish Kvantum DOOEL dhe “EHA Hoffmann International” gjermane, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanive do të zbatohet për një periudhë trevjeçare.

Sipas kontratës së publikuar në faqen e Sistemit Elektronik për Prokurim Publik, kompanitë fituese të tenderit kanë ofruar çmim prej 540 denarë plus TVSH prej 97,2 denarë, përkatësisht 637,2 denarë, për një palë targa.

Sipas marrëveshjes kornizë, duhet të prodhohen mbi 300 mijë targa, nga të cilat 240 mijë për mjetet motorike klasike.

Sipas të njëjtës kontratë, janë blerë katër lloje të ngjitësve të dyfishtë sipas madhësisë, përkatësisht:

Dimensionet 99×42 milimetra – çmimi i blerjes 35,4 den.
Dimensionet 85×40 milimetra, çmimi do të jetë 41,3 denarë.
Dimensionet 53×37 milimetra me çmim 35,4 den.
Dimensionet 48×18 milimetra me çmim 29,4 den.

Ministria e Brendshme do të vendosë se cili do të jetë çmimi i shitjes së këtyre ngjitëseve.

Dorëzimi i parë duhet të fillojë 30 ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe prokurimi do të realizohet sipas nevojave të përcaktuara nga Ministria e Brendshme.

Obligimi për përdorimin e kodit NMK në targa është nga Marrëveshja e Prespës, sipas së cilës afati për ndërrim është deri në shkurt të vitit 2024.

Në vend të zëvendësimit të plotë të targave, me vendimin e ri të qeverisë, qytetarëve u mbetet vetëm një ngjitëse me kodin e ri.