RMV, lojëra të rreme shpërblyese po shpërndahen në internet, MPB bën thirrje për kujdes kur jepni të dhëna personale

Gjithnjë e më shumë raporte për lojëra shpërblyese të rreme në internet kanë arritur në Sektorin për krime kompjuterike të Byrosë për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Lojërat e rreme organizoheshin përmes përdorimit të rrjeteve sociale, veçanërisht Facebook-ut. Fillimisht, siç bën me dije MPB-ja, janë hapur profile të rreme me emrin e një kompanie të njohur nga vendi me shumë vite ekzistencë dhe më pas janë marrë pa autorizim të dhëna personale nga qytetarët.

Gjatë hapjes së profileve të rreme, shton MPB, përdoret logoja dhe marka e kompanisë, me njoftim se për shkak të një rasti të caktuar, ditëlindjes së kompanisë apo të ngjashme, po organizohet lojë shpërblyese me dhurata të ndryshme për fituesit me fat. Dhuratat e premtuara ishin kupona me vlerë, telefona celularë dhe çmime të tjera të supozuara.

“Njëkohësisht, qytetarët për të marrë pjesë në këto lojëra të rreme shpërblyese, luten që të bëjnë pëlqimin e faqes dhe postimit konkret, të shkruajnë ‘marr pjesë’ në koment, si dhe ta shpërndajnë atë, me qëllim për të përhapur sa më shumë lojën e rreme shpërblyese. Më pas, krijuesit e këtyre lojërave shpërblyese false, u dërgojnë mesazh qytetarëve se janë fitues të një çmimi, ndërsa për ta tërhequr atë duhet të japin të dhënat e tyre personale, të dërgojnë foto të letërnjoftimit (në të dyja anët), si dhe foto të mbajtësit të letërnjoftimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale dhe keqpërdorimeve dhe pasojave të mundshme që mund të lindin, MPB apelon qytetarët që të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur ndajnë këto informacionr me persona të tjerë, veçanërisht në internet.

“Apelojmë qytetarët që të dhënat e tyre personale t’i trajtojnë me kujdes dhe përgjegjësi të veçantë, të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona të cilëve nuk mund të përcaktohet identiteti i vërtetë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Kujtojmë se së fundmi, u shfaq “lojë shpërblyese” nga gjoja Tehnomarket. Bashkë me postimin ishte publikuar edhe një foto me numra të shumtë, ku premtohej se 250 personat e parë që vërejnë një numër tjetër nga numri 702 në atë foto, do të marrin një kupon prej 5000 dollarësh. Kjo ishte shpërndarë nga faqja në Facebook me emrin TehnoMarket FANS. Komentet poshtë postimit shtojnë “mos harroni të komentoni dhe shpërndani këtë postim në grupe dhe profile të tjera për më shumë shanse për të fituar

Për keqpërdorim të të dhënave personale, përveç Agjencisë për Mbrojtje e të Dhënave Personale të Maqedonisë së Veriut, mund të paraqiteni edhe në MPB dhe Prokurori.

“Nëse të dhënat tuaja janë keqpërdorur është e nevojshme që t’i njoftoni institucionet kompetente si Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrinë e Punëve të Brendshme ose Prokurorinë Publike nëse bëhet fjalë për vepër penale. Gjithashtu, duhet ta njoftoni kompaninë ose institucionin që i përpunon të dhënat tuaja personale që të ndërmerren masa përkatëse dhe të parandalohen pasojat e mëtutjeshme të dëmshme”, thonë nga Agjencia.

Ndryshe, në kuadër të projektit të Metamorfozis, i financuar nga BE “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv”, në periudhën e kaluar në Portalb.mk janë publikuar një sërë tekstesh këshilluese/edukative dhe për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e të dhënave personale.