RMV, prej sot në farmaci mund t’i gjeni 9 ilaçet e reja kundër tensionit të lartë, depresionit dhe mpiksjes së gjakut

Nëntë barnat e reja gjenerike që i janë shtuar listës pozitive janë në dispozicion nga sot në farmacitë në të gjithë vendin. Këto përfshijnë ilaçe për presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, anti-agregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën. Që ilaçet do të jenë prejs sot nëpër farmaci, njoftoi më 11 shtator ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të kenë mundësi qytetarët t’i marrin barnat e reja në listën pozitive, si dhe se cili grup sëmundjesh do të jetë në fokus në zgjerimin e ri të barnave duke shtuar se pret që çdo tre deri në katër muaj të ketë plotësim prej një ose dy ilaçesh, transmeton Portalb.mk.

“Me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) po përgatisim një platformë që duhet të sigurojë transparencë të gjithë procesit në zgjerimin e ardhshëm të barnave. Do të ketë rekomandime nga OBSH, si dhe nga ekspertë në vend. Ne dëshirojmë që zgjerimi i listës pozitive të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Do të bëjmë atë që u nevojitet më shumë qytetarëve, që do të ulte kostot e tyre”, thotë ministri.

Në periudhën e ardhshme, ai tha se nuk mund të premtojë zgjerimin e dhjetë barnave të reja, por garanton se çdo tre deri në katër muaj do të ketë shtesë me një, dy ose tre ilaçe të tjera.

“Ky është një revolucion i problemeve që nuk janë zgjidhur për më shumë se dhjetë vjet. Lista e fundit pozitive është e vitit 2009 dhe në vitin 2014 është futur vetëm një ilaç, ndërsa tani kemi nëntë barna në 50 ditë që kur kemi qenë në detyrë. Shpresoj që menjëherë pas vitit të ri të kemi zgjerim tjetër të listës”, tha Taravari.

Ai u bëri thirrje kompanive të interesuara farmaceutike dhe prodhuesve të barnave që të konkurrojnë dhe të jenë aktive, t’i sugjerojnë, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria të jenë më transparente, gjë që do të japë një rezultat më të mirë.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se është arritje e rëndësishme zgjerimi i listës pozitive të barnave pas një pauze prej më shumë se dhjetë vjetësh.

“Prioritet është që çdo qytetar të ketë akses në barnat që i nevojiten pa u përballur me vështirësi financiare. Synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një sistem shëndetësor që pasqyron realisht angazhimin tonë për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e çdo qytetari”, tha kryeministri.

Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka marrë vendim që në fillim të gushtit të zgjerohet lista pozitive.

Më pas, drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, tha se bëhet fjalë për rreth njëzet barna nga nëntë gjenerikë, nga 59 marka të mundshme, përkatësisht: për sëmundjet e gjakut – antikoagulantë, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, si dhe për ato të sistemit qendror nervor.

Klekovski para një jave bëri të ditur se nga 16 shtatori barnat e reja do të jenë të disponueshme në sistem dhe në barnatore dhe mjekët amë mund të fillojnë me shpërndarjen dhe përdorimin e tyre.

“Hapin e parë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e bëmë me listën pozitive, e cila nuk është përditësuar që nga viti 2014 dhe i ishte shtua vetëm një medikament. Tani kemi miratuar nëntë gjenerikë që mund të çojnë në 56 brend barnave. Shpallja publike është në vazhdim, si furnizues të mundshëm janë paraqitur Alkaloid, Krka, Belupo dhe kompani të tjera. Presim që deri më 16 shtator barnat e reja të jenë të disponueshme në sistem dhe në barnatore dhe mjekët amë të fillojnë me lëshimin dhe përdorimin e tyre”, tha Klekovski pas takimit me gazetarët në FSSh.

Ai tha se në dy muajt e fundit, FSSh ka punuar në identifikimin e të gjitha problemeve dhe ka komunikuar me të gjitha palët e interesuara për planifikimin e periudhës së ardhshme.