RMV, Komisioni parlamentar i votoi propozim-kandidaturat për anëtarë të Këshillit të ASHMAA-së

Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve pasdite në seancë e votoi listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, raportoi MIA. Në konkursin publik janë paraqitur 31 kandidatë, por një kandidat e ka tërhequr kandidaturën.

Kandidatët e paraqitur do të luftojnë për shtatë vende në Këshillin e ASHMAA-së. Nga 30-të kandidatët e paraqitur, Komisioni votoi se 24 i plotësojnë kushtet, ndërsa gjashtë nuk i plotësojnë kushtet në konkursin publik, pasi që, siç tha kryetari i Komisionit të Kuvendit, Gjorgjija Sajkovski, nuk kanë parashtruar certifikatë për shtetësi, që ka qenë një nga kushtet.

Kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet, në debat publik do të prezantohen dhe do të përgjigjen në pyetjet e parashtruara nga ana e deputetëve.

Kushtet për anëtar të ASHMAA-së i plotësojnë Sasho Stefanovski, Nafie Selmani, Dragica Ljubeska, Mile Boshnjakovski, Petar Gjurovski, Emilia Petreska Kamenjarova, Shaban Dalipi, Andriana Skerlev Çakar, Llazo Petrushevski, Zoran Fidanoski, Arben Saiti, Emilia Janevska, Davor Bashoski, Daut Dauti, Gordana Majnova, Viktor Pavllovski, Vlladimir Gjorgjievski, Elena Stojkovska, Zërijeta Hajro Jajaga, Cvetanka Minovska, Viktor Grozdanov, Stojançe Naumov, Afrona Verzivoli dhe Boris Arsov.

Nuk i kanë plotësuar kushtet këta gjashtë kandidatë – Marijanço Tanushevski, Dimitar Micev, Darko Stefanovski, Selfer Ajdini, Violeta Simova Bilbilovska dhe Vlladimir Kërsteski.

Ndryshe, ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm, mbikëqyrje dhe kontroll mbi portalet online që marrin para buxhetore për reklamimin e partive politike për zgjedhjet dhe heqje e reklamave politike me pagesë nga Buxheti i shtetit.

Këto ishin pikat dhe propozimet kryesore të zyrtarëve të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në ditën e parë të konferencës “Para, Media dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, ndërsa me mbështetjen e Zyrës për punë të jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.