RMV, Këshilli Gjyqësor miratoi strategji të re komunikimi, sipas rekomandimeve të Misionit vlerësues të BE-së

Në seancën e sotme të 490-të, Këshilli Gjyqësor shqyrtoi dhe njëzëri miratoi Strategjinë e re të Komunikimit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjykatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut (2024-2028) me Plan veprimi, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva theksoi se strategjia e re përmbush katër nga rekomandimet e shënuara në Raportin e misionit vlerësues, si dhe se është në harmoni me Politikat Kombëtare Zhvillimore dhe paraqet një pjesë më të detajuar të Strategjisë Sektoriale të Zhvillimit për Gjyqësorin 2024-28 dhe është në përputhje me angazhimet për një gjyqësor të hapur.

“Me miratimin e një dokumenti kaq të rëndësishëm do të thotë se do të miratohen standarde të larta evropiane për komunikim në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke filluar nga Këshilli Gjyqësor”, tha Dameva.

Në strategjinë e komunikimit, theksoi Dameva, janë shënuar të gjitha aktivitetet që duhet të ndërmerren nga Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat në periudhën e ardhshme në mënyrë që publiku të ketë qasje në informatat me kohë dhe të kuptueshme lidhur me procesin e vendimmarrjes në gjyqësor.

“Gjyqtarët duhet të jenë më transparent me median, e njëjta gjë vlen edhe për Këshillin Gjyqësor, sepse gjyqtarët ende marrin vendime në emër të qytetarëve dhe puna jonë është në emër të qytetarëve, dhe një nga të drejtat themelore është e drejta e qytetarëve për tu informuar”, tha Dameva.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, theksoi se komunikimi me publikun, qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile ka rol të madh në mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve, por edhe në mbrojtjen e gjyqësorit nga ndikimet e jashtme, dhe për këtë arsye të gjitha angazhimet e llogaridhënies bazohen në sundimin e ligjit dhe kjo, siç theksoi ajo, është thelbi i strategjisë së komunikimit – pa publikun nuk mund të ketë cilësi veprimi dhe vendimmarrjeje.

“Është e një rëndësie të madhe që për strategjinë e komunikimit ka pasur një proces gjithëpërfshirës në të cilin Gjykata Supreme ka dhënë një kontribut se cilat pjesë duhet të përmirësohen. Për zbatimin e kësaj strategjie duhet të ketë motiv dhe vullnet, sepse transparenca jep një kontribut të madh dhe të pazëvendësueshëm në reputacionin e gjyqësorit dhe në perceptimin e përgjithshëm në përgjithësi”, theksoi Ademi.

Misioni vlerësues i BE-së në dhjetor të vitit të kaluar e përgatiti raportin me gjithsej 40 rekomandime për punën e Këshillit Gjyqësor në vend.

Kujtojmë se viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” në konferencën vjetore ku prezantuan raportet nga monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve Publik. Ata theksuan se ka stangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.