RMV, kërkohen fonde për të siguruar testim falas për HPV-në e cila kushton nga 700 deri në 3.000 denarë

Skriningu për HPV-në në Maqedoninë e Veriut ka mbetur në kuadër të një studimi pilot i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjike, por nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shoqatën e Gjinekologëve dhe Obstetërve të RMV-së (SHGJO) thonë se kërkojnë fonde për të mundësuar testimin falas të HPV-së dhe i njejti të jetë lehtësisht i arritshëm për çdo vajzë dhe grua në vendin tonë, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Me udhëzim nga gjinekologu amë, testi HPV kushton 700 denarë, ndërkaq privatisht kushton mbi 3.000 denarë.

“Ashtu si vendet e tjera në botë, Maqedonia shpesh i krijon politikat dhe programet shëndetësore, bazuar në rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetësisë, si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila  rekomandon testimin e HPV-së si metodë primare e skriningut për kancerin e qafës së mitrës, në mënyrë vetanake ose në kombinim me testet PAP”, thonë nga SHGJO.

Testimi i HPV-së duhet të futet si skrining primar pasi ka saktësi prej 99.99%, tha Prof.Dr Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, në një deklaratë vitin e kaluar.

Ministria e Shëndetësisë, vitin e kaluar e miratoi vendimin që gratë në vend një herë në vit të mund të kryejnë falas një test PAP, testim ky që nga tani e tutje do të jetë falas një herë në tre vite.

Kur u pyetën pse gjinekologët rekomandojnë që testi PAP të bëhet një herë në 3 vite, kur RMV është vend me kulturë jo aq të lartë shëndetësore, dhe mos të bëhet PAP testi një herë në vit, nga SHGJO u përgjigjën se rekomandimi i tyre për testin PAP çdo tre vjet vjen nga një hulumtim i gjerë që ka treguar se kanceri i qafës së mitrës zakonisht zhvillohet ngadalë, me vite.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri dhe kryetarja e Komitetit Kombëtar të Imunizimit, Prof. Dr. Aleksandra Grozdanova më 15 prill, njoftuan se në muajin maj vaksina nëntë-valente HPV, do të jetë në dispozicion në pikat e vaksinimit në Maqedoni.

Në vendin tonë, vaksina përdoret nga viti 2008, dhe që nga viti 2009, ka hyrë në kalendarin e imunizimit të detyrueshëm.

Vaksina, sipas kalendarit mund të merret nga djemtë dhe vajzat të moshës 12 deri në 15 vjeç, më së voni deri në moshën 18 vjeçare. Nëse merret nga mosha 12 deri në 15 vjeç jepet në dy doza, nëse merret pas moshës 15, merret në tre doza.

Është vendimtare si për djemtë, ashtu edhe për vajzat që të marrin vaksinën HPV. Vaksinimi i djemve ndihmon në uljen e transmetimit të virusit si dhe marrja e vaksinës ndikon në mbrojtje të drejtpërdrejtë kundër kancerit të gjirit shkaktuar nga ky virus. Duke vaksinuar djemtë dhe vajzat, mund të arrijmë nivele më të larta imuniteti në të gjithë popullsinë. Në të njëjtën kohë, vaksinimi i djemve dhe vajzave nxit barazinë gjinore në shëndetësi dhe siguron që të dy gjinitë të kenë qasje të njejtë në mbrojtjen e sëmundjeve të lidhura me HPV-në”, thonë nga SHGJO.