RMV-ja pagoi transhenë e re prej 19.4 milionë eurosh për përkrahjen e kompanive vendore, para nga kredia hungareze
Mbi 1 miliard denarë është vlera e transhesë së re e cila është paguar përmes Bankës Zhvillimore për përkrahjen e kompanive vendore, mjete që Qeveria i siguroi me kushte të favorshme nga huaja hungareze, njoftoi Ministria e Financave, transmeton Portalb.mk.
“Nga Buxheti qendror në Bankën Zhvillimore janë paguar 1.2 miliardë denarë, respektivisht 19.4 milionë euro, mjete me të cilët do të realizohen projektet investuese nga kompanitë vendore, të cilat më parë janë miratuar nga bankat afariste. Duke përfshirë këtë transhe, përkrahja e përgjithshme e cila është transferuar nga Buxheti Qendror në ekonominë vendore, përmes kësaj mase qeveritare, është 190.5 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Në Buxhetin e vitit 2025 janë projektuar gjithsej 250 milionë euro të cilat janë destinuar për përkrahjen e projekteve investuese nga kompanitë vendore, të cilat duhet të iniciojnë një cikël investimesh në sektorin privat prej rreth 300 milionë eurosh. Mjetet për këtë qëllim i siguroi Qeveria me kushte të favorshme përmes Bankës Hungareze Eksport-Import.
Në gusht të këtij viti, Ministria e Financave i pagoi Bankës Zhvillimore transhenë e pestë në vlerë prej 700.9 milionë denarëve ose 11.3 milionë euro.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.