RMV, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore kërkojnë asistentët e tyre, ministrja ua hedh fajin drejtorëve

Pesë ditë pas fillimit të vitit shkollor, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore ende nuk mund të ndjekin mësimin për shkak se nuk kanë asistentë edukativë. Prindërit e këtyre nxënësve pohojnë se fëmijët e tyre kërkojnë asistentët e tyre dhe është shumë e rëndësishme që ata të mos ndërrohen shpesh. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit Vesna Janevska thekson se është obligim i shkollave që të shpallin konkurse për punësimin e asistentëve, transmeton Portalb.mk.

“Më 2 shtator fëmija im ishte në shkollë. Ai filloi të qajë kur pa se nuk ishte asistentja e tij me të cilën ishte mësuar. Ai dëshiron, por nuk shkon në shkollë sepse nuk ka asistent, ndërsa unë nuk di si t’i shpjegoj pse rri në shtëpi, ndërsa fëmijët e tjerë shkojnë çdo ditë në mësim”, thotë për Meta.mk Zoran Mijalkov nga Shtipi, prind i një nxënësi të klasës së gjashtë me nevoja të veçanta arsimore.

Mijalkov është kryetar i shoqatës “Zemra të bashkuara”, në të cilën janë anëtarësuar rreth 3000 familje. Ai përgjigjet se edhe pse viti shkollor ka filluar, në shkolla nuk ka asistente edukative për fëmijët që kanë nevojë.

“Ata kishin gjithë verën për të kryer të gjitha procedurat për marrjen në punë të asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Tani fëmijët tanë rrinë në shtëpi, duke vuajtur ndërsa bashkëmoshatarët e tyre shkojnë në shkollë. Edhe sot t’ zgjedhin asistentët e rinj, ka afate për ankesa që duhet të plotësohen dhe e gjithë kjo është zvarritje që dëmton fëmijët me nevoja të veçanta”, thotë Mijalkov.

Djali i tij është në klasën e gjashtë në “Vanço Përke” në Shtip, dhe është një periudhë kalimi nga shkolla fillore në mësimdhënie lëndore dhe periudhë specifike për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore. Nga ana tjetër ai thekson se është shumë e rëndësishme që një fëmijë me nevoja të veçanta arsimore të mos ndërrojë asistentë.

“Një pengesë e tmerrshme mund t’i ndodhë një fëmije nëse ndryshon personi me të cilin është mësuar të ulet dhe të punojë gjatë shkollës. Ato punësime të asistentëve duhet të jenë të përhershme dhe të mos ndryshohen për fëmijët. Fëmija im kërkon ndihmësin e tij. Askujt nuk i intereson që ditën e parë ai qau kur pa që ajo nuk ishte. Problem është edhe fakti se ka dy javë trajnime për asistentët e ardhshëm, periudhë kjo shumë e shkurtër. Autoritetet mendojnë se brenda dy javësh do të marrin një produkt të përfunduar, asistentë. Po luajmë inkluzivitet”, shprehet i indinjuar Mijalkov.

Sipas tij, është për t’u lavdëruar fakti që do të punësohen 200 asistentë në nivel shtetëror për klasën e parë.

Ndryshe nga deklarata e Mijallkovit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska pohon se në shkolla ka asistentë për fëmijët.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë dhe do të kenë asistentë. Deri më tani janë siguruar 815 asistentë, për 200 asistentë të mbetur kemi pritur ribalancimin e buxhetit, për të siguruar mjete”, thotë Janevska.

Sipas saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka kryer detyrën e saj dhe “konkurset për punësimin e asistentëve janë përgjegjësi e shkollave me qendra burimore dhe detyra e tyre është të planifikojnë se kur do të shpallin konkursin”.

“Pse i emërojmë drejtorët e shkollave nëse nuk i dinë përgjegjësitë e tyre themelore”, pyet Janevska.

Ministrja informoi se është në proces nënshkrimi i kontratave për punësimin e 815 asistentëve, duke shtuar se konkursi për 200 asistentë shtesë është i hapur për regjistrim.

“Këtë vit numri i asistentëve arsimor është dukshëm më i lartë se në vitet e kaluara. Nëse ka nevojë, varësisht nga kërkesat e prindërve, vitin e ardhshëm shkollor do të punësojmë një numër edhe më të madh”, tha ajo.

Ndërsa Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) ka reaguar pak ditë më parë për zvarritjen e angazhimit të asistentëve në shkolla dhe i ka bërë apel Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) që të respektojë detyrimin për të siguruar të drejtën për arsim për çdo fëmijë pa diskriminim.

Komisioni kohët e fundit kërkoi gjithashtu nga Ministria e Arsimit që të sigurojë menjëherë një përshtatje të arsyeshme sipas nevojave individuale të secilit nxënës, duke marrë mbështetjen e duhur të individualizuar, si dhe mbështetjen për mësuesit në punën me nxënësit me aftësi të kufizuara.

Nga aty, ata kujtuan komentet e Komitetit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, se “arsimimi gjithëpërfshirës duhet të kuptohet si një e drejtë themelore njerëzore e të gjithë nxënësve”.

“U bëjmë thirrje të gjithë prindërve dhe nxënësve të cilëve u është mohuar e drejta për arsimim që të raportojnë për diskriminimin në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioni sipas detyrës zyrtare do të kontaktojë shkollat ​​me një qendër burimore për të përcaktuar situatën aktuale me procesin e përzgjedhjes dhe lidhjen e kontratave për punë me asistentët arsimorë”, tha Komisioni.