RMV, është hapur sistemi për e-aplikim në shkolla të mesme, afati i regjistrimit është deri pasnesër

Nxënësve të klasës së nëntë në vend tashmë u është mundësuar të krijojnë profile në portalin për e-shërbime dhe të aplikojnë elektronikisht për regjistrim në shkollat e mesme, ndonëse ditët zyrtare për aplikim janë nesër dhe pasnesër. Pas aplikimit, kandidatët do të duhet të sjellin dokumentet origjinale në shkollë në mënyrë që të kontrollohet besueshmëria e të dhënave të futura në aplikimin elektronik, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ajo që ofrojnë shkollat ​​e mesme profesionale këtë vit janë bursa, mundësi punësimi dhe drejtime tërheqëse për të rinjtë.

“Sistemi i regjistrimit tashmë është i hapur, megjithëse nuk mund të shohim numrin e regjistrimeve. Drejtimi më tërheqës në vendin tonë është teknologjia kompjuterike dhe automatika, megjithëse transporti dhe spedicioni është tradicionalisht tërheqës për të rinjtë. Shumica e nxënësve që regjistrohen janë me rezultate të shkëlqyera. Në shkollën tonë në vazhdimësi kemi rritje të numrit të nxënësve dhe këtë vit presim më shumë”, thotë për Meta.mk, Aleksandar Sibinovski, drejtor i gjimnazit “Vllado Tasevski” nga Aerodromi.

Siç informoi ai, numri i nxënësve të regjistruar në këtë shkollë të mesme të Shkupit është vazhdimisht në rritje.

“Këtë vit nxorrëm 170 maturantë, ndërsa vitin e kaluar në vitin e parë u regjistruan 280 nxënës, që është tregues se për katër vite është një rritje e madhe”, thekson Sibinovski.

Kolegu i tij nga shkolla e mesme kimike “Maria Kiri Skllodovska”, Darko Spasev thotë se interes më të madh në këtë shkolla ka në fushën e laborantit mjekësor.

“Sistemi i regjistrimit elektronik hapet më herët, që të mos ngadalësohet dhe të mos ketë ngarkesë në sistem. Do të kemi pasqyrë ditën kur duhet të nxjerrim një rang-listë paraprake. Interesimin më të madh e kemi për laborantët mjekësorë, si dhe për sanitarët e laboratorëve mjekësorë dhe për laborantët kimikë”, thotë Spasev për Meta.mk.

Dimitar Gjorgiev, drejtori i shkollës së mesme “Mihajlo Pupin”, informon se më së shumti janë të interesuar në drejtimin e teknologjisë kompjuterike dhe automatizimit, si dhe për paralelen e EVN, ku ofrohen bursa gjatë mësimit, si dhe punësim pas përfundimit të arsimit.

“Edhe këtë vit pres regjistrim të mirë. Interesi për arsimin profesional po rritet nga viti në vit. Nuk mund të hapim më shumë paralele në teknologji kompjuterike sepse ka mungesë të kuadrit mësimor”, thotë Gjorgiev.

Në ato shkolla në të cilat do të ketë numër më të madh të nxënësve të regjistruar se vendet e lira të parapara, do të organizohet testimi kualifikues. Një test i tillë përzgjedhës vitin e kaluar është mbajtur në gjimnazin “Orce Nikollov”.

“Nuk e di nëse do të ketë test kualifikues këtë vit, por e di që ka nxënës që tashmë janë duke u përgatitur për atë test. Mund të ketë, por edhe të mos ketë nevojë për përzgjedhje, do të shohim”, thotë drejtori i “Orce Nikolovit” Mitko Dimovski për Meta.mk.

Regjistrimi dhe aplikimi i nxënësve do të bëhet në një periudhë regjistrimi me dy regjistrime në muajin qershor. Rang-lista e nxënësve të regjistruar në afatin e parë të regjistrimit publikohet më 22 qershor, në portalin e-shërbime, si dhe në faqen e Ministrisë së Arsimit, jo më së vonëi deri në ora 9.

Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet në datën 22 qershor nga ora 12:00 deri në orën 19:00 dhe më 23 qershor nga ora 7:00 deri në orën 19:00. Rang-lista përfundimtare për çdo shkollë me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e disponueshme do të publikohet më 24 qershor, jo më vonë se ora 12:00 në tabelën e njoftimeve të shkollës dhe në faqen e Ministrisë së Arsimit.