RMV, është hapur aksion operativ “Zjarr 2024”: Mobilizim i plotë i MPB-së në parandalimin dhe përballimin e zjarreve

Në MPB sot është mbajtur takim koordinues ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, drejtorit të Byrosë për siguri publike Aleksandar Janev dhe shefave të Departamenteve të Punëve të Brendshme dhe njësive tjera organizative në MPB, temë e së cilës ishte situata e përgjithshme me zjarret që përfshiu vendin tonë, aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me institucionet e tjera për shuarjen e tyre dhe aktivitetet për parandalimin e zjarreve të reja, transmeton Portalb.mk.

Në takim u konkludua për mobilizimin e plotë të të gjitha burimeve njerëzore dhe teknike në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kuadër të aksionit operativ “Zjarri 2024”. Me këtë aksion operacional të gjitha mjetet materiale dhe teknike që disponon Ministria e Brendshme do të vihen në funksion të përballjes me zjarret.

Sektorët e punëve të brendshme si njësi rajonale të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të jenë vazhdimisht në terren me një prani të shtuar dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me departamentet e tjera si Departamenti i Operacioneve Speciale të Policisë, Departamenti i Njësive të Aviacionit, Departamenti i kufirit dhe migracionit, Policia kundër krimit dhe departamentet e tjera të Byrosë për siguri publike.

Prezenca e policisë në terren do të shtohet. Dyshohet se disa prej zjarreve kanë qenë zjarrvënie dhe do të merren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rasteve dhe ndëshkimin e autorëve.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë lëvizjes në natyrë. Gjithashtu, nëse qytetarët vërejnë ndonjë lëvizje apo aktivitet të dyshimtë, duhet të lajmërohen menjëherë në stacionin policor më të afërt ose të telefonojnë në numrin 112. Çdo veprimtari në drejtim të shkaktimit të zjarreve me dashje apo pa dashje do të sanksionohet në mënyrë më strikte brenda normave ligjore”, thonë nga MPB.

Ndryshe, presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, mori vendim që të angazhohen edhe 200 pjesëtarë të ushtrisë në përpjekje për shuarjen e zjarreve.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.