RMV, edhe një i vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, gjithsej pesë raste vdekjeprurëse
Një shkupjan 73-vjeçar nga lagjja Lisiçe e Re ka vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, me ç’rast numri i përgjithshëm i rasteve vdekjeprurëse nga ky infeksion u rrit në pesë persona, kumtoi sot drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana. Pacienti është mjekuar në Repartin për kujdes intensiv 22 ditë, ka qenë në mbështetje respiratore dhe ka pasur disa sëmundje shoqëruese kronike, njofton Portalb.mk.
Në Klinikën Infektive momentalisht janë të hospitalizuar 21 pacientë. Tek 18 persona është konfirmuar formë e rëndë neuroinvazive e virusit, ndërsa tre trajtohen si raste të dyshimta. Katër nga të sëmurët ndodhen në gjendje kritike në kujdes intensiv, ndërsa të tjerët janë të hospitalizuar në Repartin për neuroinfeksione.
Fluksi i pacientëve të rinj është i përditshëm, kështu që kapaciteti po mbushet vazhdimisht me rreth njëzet persona. Pasqyra më e rëndë klinike vërehet te qytetarët e moshuar, por midis të shtruarve në spital ka edhe të rinj, nga të cilët pacienti më i ri është i moshës 25-vjeçare. Deri më tani, nga klinika janë liruar 19 pacientë të shëruar.
- LEXO: Klekovski: Gjithsej 43 raste me ethe të Nilit Perëndimor, virusi për herë të parë është konfirmuar edhe te një shpend i ngordhur
- LEXO: Këtë vit nga ethet e Nilit Perëndimor në RMV janë prekur gjithsej 38 persona, ndërsa kanë vdekur katër
- LEXO: 38 raste me ethet e Nilit Perëndimor në RMV, filloi fushata për informimin e popullsisë
- LEXO: Në katër komuna të Shkupit u shpall epidemi e Etheve të Nilit Perëndimor