RMV, deputetët nuk argumentojnë mjaftueshëm dhe as nuk pranojnë argumente të huaja

Nivel relativisht të ulët të cilësisë së debatit në Kuvend në këtë mandat, si dhe mungesë arguemntimi nga ana e deputetëve, tregon raporti i Institutit për demokraci Societas Civilis. Në shkallën nga 1 – më e ulëta në 10 – më e larta, nota mesatare për cilësinë e debatit në Kuvend në gjysmën e parë të vitit 2023 është 5.5, transmeton Portalb.mk.

“Deputetët e opozitës ishin më aktivë me pjesëmarrjen në diskutime, duke marrë pjesë në 76% të diskutimeve të monitoruara, ndërsa deputetët e pushtetit morën pjesë në 24%. Deputetët që qëndruan më gjatë në foltoren e Kuvendit janë: Dajanço Eftimov, Zdravko Trajanov dhe Beti Stamenkoska Trajkoska. Në mesin e dhjetë deputetëve që qëndruan më gjatë në foltore gjatë kësaj periudhe monitorimi, ishin pesë deputete të opozitës, Beti Stamenkoska Trajkoska, Gordana Siljanovska Davkova, Bllagica Llasovska, Lidija Petkoska dhe Eli Panova. Pjesëmarrja e grave në diskutim është në nivel prej 43%, dhe mbetet në nivel relativisht të lartë, si dhe përfaqëson pjesëmarrjen më të lartë të grave në diskutim krahasuar me mandatet e monitoruara më parë”, thuhet në raport.

Në 49% të diskutimeve të analizuara,6 pjesëmarrësit nuk kishin argumente, ndërsa në 44% të diskutimeve të analizuara kishin argumentim të dobët, përkatësisht folësit ofruan arsyetim të pozicioneve të tyre, që nuk është i mjaftueshëm për tu konsideruar si një argument i plotë. Niveli i argumentimit është përkeqësuar pak në krahasim me periudhën e mëparshme të vëzhgimit korrik – dhjetor 2022. Vetëm 8 folës përdorën 2 argumente, ndërsa në diskutimet e monitoruara folësit përdorën më shumë se dy argumente për të mbështetur qëndrimin e tyre në vetëm dy raste ose vetëm në 0,1% të fjalimeve të monitoruara.

Në këtë periudhë raportuese, nuk është vërejtur ndryshim i pozicionit në diskutimet e vëzhguara midis deputetëve, për shkak të argumenteve më të mira të bashkëbiseduesve ose ndonjë arsye tjetër, e cila është në të njëjtin nivel me periudhën e fundit të vëzhgimit (korrik – dhjetor 2022).

Raporti konfirmon edhe vëmendjen vazhdimisht të ulët të deputetëve për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, gjatë të gjitha periudhave të monitorimit. Është vërejtur se deputetët në pothuajse 87,3% të diskutimeve të tyre, nuk flasin në lidhje me të drejtat e grupeve të margjinalizuara, përveç nëse diskutohet specifikisht për ligj ose temë të caktuar në rendin e ditës në lidhje me të drejtat e tyre. Megjithëse deputetët në përgjithësi rrallë u drejtohen të drejtave të grupeve të margjinalizuara dhe komuniteteve, deputetet në masë të madhe u referohen këtyre komuniteteve për dallim nga kolegët e tyre deputetë.

Ndryshe, pas pushimeve verore, deputetët po i kthehen sot punës në Kuvend. Pushimet e të zgjedhurve të popullit nisën zyrtarisht pas festës shtetërore të Ilindenit dhe u vendosën në pauzë një ditore më 18 gusht, kur u caktua seanca për të cilën e vetmja pikë e rendit të ditës ishte propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës së vendit.