RMV, dëmtuan bankën për mbi 10 milionë denarë, kallëzim penal për 12 persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës

Për lëshimin e çekut pa mbulesë dhe keqpërdorim të kartelës së pagesës, Departamenti për Krime Kompjuterike në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal kundër 12 personave. Siç informon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), 10 nga këta persona janë shtetas të Maqedonisë, ndërsa dy të tjerët janë shtetas të Republikës së Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Të akuzuarit, shton MPB-ja, në janar të vitit të kaluar ka kryer keqpërdorim të kartelave të pagesës (mashtrim me rimbursim) të lëshuara nga një bankë në Maqedoninë e Veriut në atë mënyrë që ato janë përdorur nga kompani të huaja aktive (me terminal fizik apo virtual) përmes të cilit janë iniciuar autorizimet e paautorizuara për kthimin e mjeteve. Ato transaksione, sqarojnë MPB-ja, nuk janë dërguar në bankë si transaksion për regjistrim, prandaj nuk ka pasur ndikim në transaksionet reale në pikën e shitjes, por nga ana tjetër, në mënyrë joreale është rritur gjendja e llogarisë së kartës së pagesës së përdorur për transaksionin me shumën e rimbursimit të bërë.

Kështu, sipas MPB-së, të regjistruarit si shfrytëzues të kartelave të pagesës i kanë shfrytëzuar këto mjete për nevoja të veta dhe në mënyrë të paautorizuar kanë përfituar përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë të përgjithshme prej 10.719.807 denarë dhe për të njëjtën shumë kanë dëmtuar bankën që ka lëshuar kartat e pagesave.