RMV, arkivi audiovizual i TVM-së do të ruhet me ndihmën franceze, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në kulturë
Ruajtja e arkivave audiovizuale të Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM) është një nga projektet që do të realizohet në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Ambasadës së Francës në Maqedoninë e Veriut. Dokumenti u nënshkrua sot nga ministri Zoran Ljutkov dhe ambasadori Kristof Le Rigoler, të cilët theksuan se ai ka rëndësi të veçantë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit institucional, kulturës, shkëmbimeve artistike, ekspertizës dhe trajnimeve profesionale, mbështetjes së industrive kulturore dhe krijuese, si dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, transmeton Portalb.mk.
Ljutkov deklaroi se ky dokument hap mundësi për realizimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e trajnimeve profesionale, mbështetjes nga ekspertët francezë dhe zbatimit të standardeve më bashkëkohore për mbrojtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu do të zhvillohen aktivitete në fushën e konservimit dhe restaurimit të pasurisë kulturore, menaxhimit modern të muzeve, digjitalizimit të materialeve arkivore dhe avancimit profesional të kuadrove në Maqedoni.
“Në lidhje me drejtimet kryesore të këtij memorandumi, dua të theksoj përkushtimin e Francës për të punuar së bashku me Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen, konservimin, restaurimin dhe vlerësimin e pasurisë kulturore. Bashkëpunimi tashmë ka filluar, veçanërisht në fushën e konservimit të dorëshkrimeve të vjetra, afreskeve bizantine dhe ikonave në dru, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Francës dhe Universitetin Paris 1 Panthéon-Sorbonne”, tha ambasadori Le Rigoler.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi parashikon gjithashtu trajnime për një numër të madh profesionistësh nga Maqedonia, të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë nga njohuritë dhe ekspertiza franceze. Po ashtu, marrëveshja inkurajon lëvizshmërinë e artistëve, krijuesve dhe profesionistëve të kulturës, të cilët do të kenë mundësi të qëndrojnë në Francë, të marrin pjesë në festivale të ndryshme, takime profesionale dhe projekte bashkëpunimi në fusha të ndryshme si artet pamore, shfaqjet artistike, muzika, kinematografia, teatri dhe artet audiovizuale.
“E di që kjo fushë është vazhdimisht e rëndësishme për ministrin dhe veçanërisht e afërt me zemrën e tij. Me këtë memorandum parashikohet edhe promovimi i turizmit kulturor si një nga mjetet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, tha ambasadori Le Rigoler.
Ai shtoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim për projektin ku do të përfshihen Radiotelevizioni i Maqedonisë dhe Qendra Shtetërore Audiovizuale e Francës, me qëllim konservimin e të gjithë materialit audio dhe video. Do të formohet një grup i përbashkët pune, i cili do të merret me identifikimin e prioriteteve dhe zbatimin e tyre.
Ky është një projekt që ka filluar vitin e kaluar në partneritet me Institutin Kombëtar Francez të Arkivave Audiovizuale, në bashkëpunim me radio dhe televizione nga rajoni, ndër të cilat edhe Radiotelevizioni i Maqedisë.