RMV, Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari i mungojnë 40 inspektorë, por thonë se ushqimi është i sigurt

Ushqimi në Maqedoni është i sigurt, thotë i pari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, edhe pse pranon se nuk kanë staf të mjaftueshëm për të filluar kontrollet – iu mungojnë gjithsej 40 inspektorë. Kroacia ka kthyer perimet maqedonase në katër raste për shkak të pranisë së tepërt të pesticideve, por edhe kjo, sipas autoriteteve, nuk do të thotë se ushqimi ynë nuk është i mirë, transmeton Portalb.mk.

“Sidomos ajo që ka qenë aktuale dhe ju si media e keni përcjellë, përpunime të caktuara të produkteve bujqësore ku gabimi është në prodhimin primar,  ku përdoren pesticide të caktuara, ja tani shpejt kemi pasur një dërgesë të pjeshkës nga një shtet fqinj, ku isht vendosur “chlorpyrophos” i ndaluar ligjërisht. Për momentin kemi rreth 180 inspektorë nga të gjitha drejtoritë, pra gjithsej, ndërsa na duhen së paku dyzet të tjerë”, thotë Nikolçe Babovski, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në pesë muajt e parë të vitit janë kryer 22 mijë inspektime, gjithçka që është në qarkullim dhe e kontrolluar është absolutisht e sigurt, pohon Agjencia.

“Për pesë muaj të këtij viti kemi kryer më shumë se 22.000 kontrolle në tregtinë e brendshme, të gjitha me një qëllim, që qytetarëve t’u ofrojmë ushqim të shëndetshëm dhe të sigurt”, shtoi Babovski.

Që nga fillimi i vitit në AUV janë dorëzuar 79 nisma nga qytetarët për mbikëqyrje inspektuese, prej të cilave 32 kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore. Qytetarët janë ankuar për blerje ushqimesh të skaduara, ushqime të përgatitura dhe të servirura në kushte johigjienike, të etiketuara dhe të paetiketuara në mënyrë të papërshtatshme, dyshime për helmim, si dhe ankesa të tjera lidhur me cilësinë e produkteve ushqimore.