Revizorët identifikuan parregullsi në punën e Ministrisë së Shëndetësisë së RMV-së
Rievizorët shtetëror kanë dhënë mendim të pafavorshëm mbi realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe mbi përputhjen me rregulloret ligjore, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara së Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
Me revizionin, siç thuhet në njoftimin e tyre, janë identifikuar dobësi në menaxhimin financiar, kontavilitet, zbatimin e programit dhe zbatimin e investimeve kapitale, të cilat ndikojnë në cilësinë dhe qasjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
“Në vitin 2023, u siguruan 5,3 miliardë denarë për zbatimin e 23 programeve shëndetësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për shlyerjen në kohë dhe të plotë të detyrimeve ndaj institucioneve publike shëndetësore dhe përkeqësuan më tej likuiditetin e tyre”, thuhet në raport.
Revizorët gjetën mospërputhje në të dhëna, zbatimin dhe raportimin brenda programit të trajtimit të sëmundjeve të rralla të vitit 2023, brenda programit të ofrimit të insulinës, si dhe në programin e zbulimit të hershëm të sëmundjeve malinje.
Revizioni zbuloi se mungojnë tregues të matshëm të përcaktuar qartë, mbulimi i popullsisë është i ulët dhe disa pacientë pritën gjatë ose nuk morën rezultate nga depistimi i kancerit të qafës së mitrës dhe të gjirit, gjë që zvogëlon ndjeshëm ndikimin e masave parandaluese.
Në fushën e investimeve kapitale, revizioni nxori në pah sfida serioze në zbatimin e projekteve.
“Për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës, janë identifikuar kushte që kanë shkaktuar implikime të konsiderueshme financiare në vlerën totale të projektit, vonesë afatgjatë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në raport.
Revizioni tregoi se, megjithëse aktivitetet për ndërtimin e një qendre të re klinike në Shkup dhe Shtip, përmes një projekti të financuar me një kredi nga CEB (Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës), filluan në vitin 2015, ato ende nuk janë përfunduar.
Për të kapërcyer problemet e identifikuara, revizorët dhanë rekomandime për personat dhe autoritetet kompetente që të ndërmarrin masa dhe aktivitete me qëllim përmirësimin e kushteve.